Varësia e të rinjve nga “smartphone”-t është kthyer në një problem shqetësues dhe shifrat e dëshmojnë qartë: 60% e të miturve nga 11 deri në 17 vjeç, gjëja e parë që bëjnë me t’u zgjuar në mëngjes dhe e fundit përpara se të flenë në darkë është të kontrollojnë telefonin.
Llogaritet se, prej tij, ata humbin të paktën 7 orë gjumë në javë. Kjo konsiderohet praktikisht edhe një nga simptomat e varësisë nga elektronika.
“Të rinjtë sot, më shumë i gëzon një buzëqeshje e shfaqur në ekran, sesa buzëqeshja e shokut përballë”, thonë ekspertë si Carson Pyatt.
Nga ana tjetër, megjithatë, edhe ndërgjegjësimi për këtë fenomen ka nisur të rritet. Kështu po praktikohet gjithmonë e më shumë rikthimi te bashkëbisedimi, te gjestet më të thjeshta të marrëdhënies njerëzore apo të shijuarit e natyrës.
Aktivitetet në ajër të pastër janë një mënyrë e mirë për të ndihmuar në reduktimin e një varësie të tillë. Prindërit këshillohen gjithashtu të mos i lejojnë fëmijët që të flenë me celular.
“Duhen vendosur rregulla për përdorimin e tij”, thonë specialistët, të cilët nuk e mohojnë progresin, por thonë se nuk duhen lënë pas dore edhe përgjegjësitë.
Top Channel