Ekonomia shqiptare ngjason me një ishull të izoluar, që në pjesën dërrmuese prodhon vetëm për konsum të brendshëm.

Instituti europian i statistikave raportoi se Shqipëria është vendi me eksportet më të ulëta të mallrave në Europë duke patur një diferencë të theksuar jo vetëm me vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian, por edhe me ekonomitë e ngjashme të rajonit.

Sipas Eurostat, vitin e kaluar eksportet e kompanive shqiptare në tregjet e huaja ishin vetëm 7.7 për qind e prodhimit kombëtar ose rreth 5 herë më pak se sa mesatarja e vendeve të BE.

Shqipëria ka një nivel jashtëzakonisht të ulët eksportesh edhe nëse krahasohet me ekonomitë e ngjashme që e rrethojnë. Në Bosnje, eksportet e mallrave zënë 30 për qind të Prodhimit Kombëtar, në Serbi 37 për qind, ndërsa në Maqedoninë e Veriut shifra arrin deri në 40 për qind.

Niveli i ulët i eksportit të mallrave është tregues i prapambetjes ekonomike të vendit, veçanërisht sektorit të industrisë, që është dhe gjeneruesi kryesor i eksporteve. Sipas Eurostat, Shqipëria është vendi më i pa-industrializuar i Europës, teksa në total sektori i industrisë zë vetëm 13 për qind të prodhimit kombëtar, nga 20 për qind që është mesatarja e rajonit.

Edhe pse gjatë viteve të fundit Shqipëria ka qenë vendi me fluksin më të madh të investimeve të huaja, shumica e tyre kanë qenë të përqëndruara në sektorët e patregtueshëm si telekomunikacioni, sektori financiar apo gazi.

Këta sektorë nuk gjenerojnë ekporte, por ofrojnë kryesisht shërbime për konsumatorët vendas duke e lënë ekonominë të izoluar dhe jashtë tregjeve ndërkombëtare.

Top Channel