Pas luftës rikthehet arti. Në Raqqa të Sirisë, të rinjtë ngjiten në skenë

12/05/2019 20:56

Në Sirinë veriore, arti po rikthehet në ish-bastionin e Shtetit Islamik. Kur ka kaluar më shumë se një vit, që nga koha kur xhihadistët e grupit të Shtetit Islamik u larguan, djemtë dhe vajzat siriane janë rikthyer në skenë, duke kërcyer nën ritmet e daulleve në qytetin verior Raqqa.

“Ndihem si një zog që fluturon në qiell dhe qielli është i hapur. Njerëzit tani kanë filluar t’i harrojnë problemet e tyre, sepse muzika dhe kënga janë gjuhë të njohura në të gjithë botën”, tha Malak al Jatim.

Raqqa konsiderohej gjithnjë si kryeqendër e kulturës. Qyteti i vogël kishte 21 qendra kulturore. Fatkeqësisht, gjatë krizës dhe luftës ato u humbën, u shkatërruan dhe u dogjën.

“Kur Shteti Islamik hyri në Raqqa, unë punoja në një sallë ku mblidheshin artistët e rinj dhe praktikonin pikturën. Shteti Islamik hyri në atelie dhe tha se ajo që ne po bënim ishte e ndaluar dhe ne duhej të pendoheshim për mëkatet tona”, tha një femër.

Në qendrën e parë kulturore të hapur që kur sundimi i Shtetit Islamik përfundoi, rrezet e diellit bien mbi një librari të re, ku librat janë renditur nëpër rafte, përgjatë një muri që mban ende erë bojë të freskët. Duket se jeta në këtë qytet po kthehet më në fund në normalitet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA