Në studion e “Top Talk”, ministri Blendi Çuçi është pyetur edhe premtimin e bërë për subvencionimin e matrikulimit, i cili deri më tani nuk ka ekzistuar. Ministri i linjës tha se ky proces ka probleme dhe se po tentohet që t’i jepet zgjidhje.

“Ky është problem që kërkon zgjidhje dhe do bëj një ligj për ta ridimensionuar shërbimin veterinar. Sepse nuk është vetëm çështja e matrikullimit, por me veterinarinë fillojnë të gjitha problemet që dalin pastaj në tavolinë tek konsumatori, për sa i përket prodhimeve shtazore. Do ndalojmë me seriozitet tek kjo çështje”, tha ai.

Gazetari Dyrnjaja, e pyeti ministrin nëse ka dijeni që nëpër thertore futet mish i pamatrikulluar dhe se një gjë e tillë është provuar edhe në emisionin ‘Top Story’. Zoti Çuçi tha se as kjo nuk qëndron.

“Në thertoret e licencuar nuk hynë asgjë, asnjë mish i pamatrikluluar. Nëse hynë ndonjë nga dritarja, hajde ta kapim! Kemi mbyllur 80% të thertoreve. Kemi disiplinuar tregun. Nuk hyn asnjë mish i pamatrikulluar se i mbyllet aktiviteti”, u shpreh i sigurt ai.

Ministri Çuçi foli për mishin e ardhur nga Brazili, duke siguruar që ai kontrollohet 100% dhe se 15 kamionë janë rikthyer në vendin e origjinës.

“Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që e kontrollon mishin nga Brazili në masën e 100%. Po të them, i vetmi. Në 2017, ndodhi problemi dhe Evropa vendosi karantinë 100% dhe tani e ka liberalizuar tregun e mishit nga Brazili. Ne jemi i vetmi vend që i gjithë mishi që vjen nga Brazili, kontrollohet këtu . Kemi kthyer nga Brazili vetëm në muajt e parë të këtij viti 180 ton mish, si të papranueshëm. Dhe ka hyrë me ton nuk e di, por nja 300 ngarkesa, nga këto 15 ngarkesa janë kthyer. Kontrollohet çdo ngarkesë”, tha zoti Çuçi.

Top Channel