Parlamentit do t’i shtohet edhe një tjetër deputet nga listat e Partisë Demokratike. Ai është Koçi Tahiri, kryetar i Partisë Demokracia e Re Europiane, i cili dorëzoi në KQZ formularin e pranimit të mandatit që lanë kolegët e tij demokratë.

70-vjeçari Tahiri në zgjedhjet e fundit ishte kandidat në listat e Partisë Demokratike në qarkun e Korçës dhe i fundit në listën shumëemërore, por pas refuzimit të kolegëve të tjerë për të marrë mandatin, atij i erdhi radha të bëhet deputet.

Tre muaj pa lënies në bllok të mandateve nga deputetët e opozitës, vendet e tyre deri më tani janë zëvendësuar me 17 deputetë nga listat e PD dhe 14 nga LSI. Ky numër pritet të rritet pasi paraditen e të shtunës KQZ ia dha mandatin edhe Klajdi Qamës nga LSI e Beratit.

Nga listat e PD janë në pritje për të marrë konfirmimin nga KQZ edhe tre kandidatë për deputetë. Ata janë Kujtim Gjuzi nga lista e PD Durrës, Koçi Tahiri nga PD Korçë dhe Indrit Hoxha nga PD Tiranë.

Në këtë mënyrë numri i deputetëve që kanë pranuar mandatin, shkon në 35, duke e çuar në total numrin e deputetëve në kuvendin e Shqipërisë, në 114.

Ardhja e deputetëve të rinj u shoqërua me mallkime dhe ofendime nga partitë që i kishin futur në lista, duke i etiketuar ata si tradhtarë, ndërsa nuk munguan edhe incidentet.

Në ditën e parë duke shkuar për të bërë betimin në parlament, Ralf Gjoni, një bashkëpunëtor i afërt kur Ilir Meta drejtonte kuvendin, u godit me bojë.
Megjithatë ky sulm ndaj Gjonit, nuk frenoi të tjerë kandidatë nga lista e LSI të merrnin mandatet. Surprizues u quajt marrja e mandatit nga Adriatik Alimadhi, kreu Ballit Kombëtar, një parti tradicionale aleate e PD-s.

Opozita e Re një javë më parë formoi edhe grupet parlamentare. Ai demokrat udhëhiqet nga Rudina Hajdari, ndërsa ai i LSI-së është quajtur grupi i pavarur dhe drejtohet nga Nimet Musai.

Opozita e re ka nisur betejën për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke detyruar maxhorancën të pranojë kërkesën për ndryshimin e objektit të punës në komision e reformës zgjedhore ku vendet e lëna bosh nga PD dhe LSI do t’i zënë deputetët e opozitës së re.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA