Besa Shahini, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e ftuar në emisionin Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja foli mbi nismën e ndërmarrë për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
“Ligji parashikon se nëse ministri sheh shkelje nga ana e rektorit, mund të propozojë shkarkimin e tij. Nuk ka asgjë antiligjore në këtë mes. Në 2018 kanë shkuar dy grupe inspektimi në Universitetin e Tiranës për të parë se si e zbaton ky universitet ligjin e arsimit të lartë dhe kanë gjetur një sërë shkeljesh. Senati dhe bordi kanë zbatuar rekomandimet dhe kanë nisur me zbatimin e tyre, ndërsa rektori nuk e ka bërë”, deklaroi Shahini.
“Ligji për arsimin e lartë ndan kompetencat mes administratorëve dhe pjesës akademike të universitetit. Rektori ka marrë kompetenca që nuk i takojnë dhe ka penguar procese që nuk duhet t’i pengonte. Për shembull ka penguar përdorimin e arkiv-protokollit. Mbi këto shkelje ligjore që kanë paralizuar universitetin është bërë propozimi te Presidenti. Besoj se kemi argumentuar mirë dhe Presidenti do ta pranojë propozimin për shkarkim”, shtoi ministrja.
Kur u pyet nëse do të ketë padi ndaj zotit Koni, Shahini deklaroi: “Do t’i marrim gjërat me radhë. Hapin e parë e kemi bërë, propozimi i ka shkuar Presidentit. Do të presim përgjigjen e tij dhe pastaj do të marrim me radhë të gjitha”.
Top Channel