Shkolla e re që do të ndërtohet në Kodër Kamëz do të mbajë emrin e shenjtores shqiptare “Nënë Tereza”, siç e deklaroi vet kryebashkiaku Veliaj teksa fliste në emisionin “Top Show” përballë gazetarit Alban Dudushi.

Shkolla do të jetë “xhevahiri i parë” i 17 shkollave që do të nisin të ndërtohen shumë shpejt në Tiranë, e do të mbajë emrin e humanistes shqiptare.

“Rektori që ka bërë vet masterplanin thotë të jetë 100 m më poshtë. Por kjo është si lojë kungulleshkash, pse jo 99 m. Ky nuk është debat për t’u bërë me rektorin. Ky qytet duhet të ketë një shkollë ‘Nënë Tereza’ dhe ne gjetëm tokën e një familjeje private që është jashtë rrethimit të UBT-së. Habia ime më e madhe është kur shoh dhëndrin e kryeministrit që del, ndërsa vjehrri i tij i ka kthyer tokën pronarit. Ne nisëm hetimet kur pamë që ky pronari e ka marrë tokën nga Berisha dhe PD-ja, që ia ka kthyer tokën dhe i ka dhënë certifikatën. Kështu që ne, me VKB dëmshpërblyem pronarin në një marrëveshje të ligjshme”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë sqaroi se shkolla në Kodër Kamëz është një kërkesë e vet komunitetit, pasi aktualisht 2.000 fëmijët e kësaj zone detyrohen që të udhëtojnë 3 km larg.

“Këtu kemi një komunitet që quhet Kodër Kamëz dhe një nxënës që të vijë nga Kodër Kamza për në gjimnaz duhet të vijë në Laprakë te ‘Aleks Buda’, edhe ata të 8-vjeçares duhet të bëjnë 2-3 km për të shkuar në shkollë. Shkolla do jetë më vete, e ndarë nga UBT, sepse kemi një tokë private që do jetë e rrethuar. Ne kemi nevojë që të sistemojmë 2.000 fëmijë për në shkollë dhe me këtë rast reduktojmë edhe trafikun që çon nxënësit në shkolla, aty janë vetëm 600 m larg”, tha Veliaj.

Top Channel