Presidenti Trump njoftoi këtë të hënë përcaktimin ndaj një krahu të fuqishëm të ushtrisë iraniane si një “organizatë e huaj terroriste”, në atë që përbën të parën herë që Shtetet e Bashkuara shënjestrojnë një pjesë të qeverisë së një kombi tjetër si kërcënim, duke shtuar kështu rrezikun e hakmarrjes ndaj trupave amerikane dhe oficerëve të kundërzbulimit.

Lëvizja në fjalë, e cila është debatuar në nivelet më të larta të administratës, është ndërmarrë pikërisht ndaj Gardës Revolucionare Islamike. Kjo njësi ushtarake ka zhvilluar operacione anembanë Lindjes së Mesme, ka trajnuar milicitë arabo-shiite dhe ka qenë pjesë e një game të gjerë biznesesh në Iran.

Përcaktimi “nënvizon faktin se veprimet e Iranit janë fundamentalisht të ndryshme nga ato të qeverive të tjera”, tha Trump në një deklaratë. “Ky veprim do të zgjerojë në mënyrë të ndjeshme fushëveprimin dhe shkallën e presionit ndaj regjimit iranian. Kjo e bën të qartë si kristali rrezikun e kryerjes së biznesit me Gardën Revolucionare të Iranit, sikurse edhe të dhënies së mbështetjes ndaj saj”.

Vendimi do të hyjë në fuqi më 15 prill dhe pritet të shoqërohet edhe me një sërë sanksionesh të shkallës së gjerë, nga ato ekonomike deri në kufizimin e udhëtimeve, për këtë njësi të ushtrisë, sikurse edhe për organizatat, kompanitë apo individët që kanë lidhje dhe marrëdhënie me ta, përfshi zyrtarë në Irak, një vend aleat i Amerikës.

Disa zyrtarë amerikanë kanë thënë se përcaktimi si organizatë terroriste mbulon potencialisht 11 milionë njerëz të grupit iranian dhe organizatave të lidhura me të, përfshi edhe milicinë vullnetare të njohur si “Basij”. Në deklaratën e së hënës, Departamenti amerikan i Shtetit veçoi Forcat “Quds”, një njësi elitare e Gardës Revolucionare Islamike që udhëhiqet nga Qassin Suleimani, si një element veçanërisht i neveritshëm.

Megjithatë, zyrtarët më të lartë të Pentagonit dhe CIA-s e kundërshtojnë këtë përcaktim, pasi sipas tyre do t’iu lejojë zyrtarëve të linjës së ashpër iranianë të justifikojnë operacionet e tyre vdekjeprurëse ndaj amerikanëve jashtë vendit, veçanërisht njësive të operacioneve speciale dhe njësive paraushtarake që punojnë nën drejtimin e CIA-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA