Ndërhyrje të jashtme mund të kërcënojnë zgjedhjet parlamentare të kësaj vjeshte në Kanada, deklaroi kryeministri i saj Justin Trudeau, duke e drejtuar gishtin nga Rusia.
“Kemi parë gjatë viteve të kaluara një rritje të ndikimit të faktorëve të jashtëm në proceset demokratike, dhe kemi parë po kështu se prapa fushatave përçarëse kanë qëndruar shtete si Rusia”, deklaroi ai.
Por Kanadaja, sipas shefit të ekzekutivit, po përpiqet t’i marrë masat në kohë. Karina Gould, ministre e Institucioneve Demokratike, është angazhuar me mënyra të ndryshme në mbrojtjen e zgjedhjeve dhe garantimin që vota do të vendoset nga kanadezët. Një prej tyre është krijimi i një grupi prej 5 nëpunësish të lartë publike, të cilët do të verifikojnë me kujdes për akte dashakeqe gjatë fushatës dhe zgjedhjeve federale.
“Mendoj se ajo që ne po shohim është diçka që po ndodh në shumë demokraci liberale; përpjekja nuk është patjetër të sigurohet një rezultat i caktuar nga zgjedhjet; është t’i bëjë shoqëritë tona më të polarizuara dhe ne, si qytetarë të demokracisë, të na bëjë më cinikë për demokracinë në vetvete, e kjo, edhe mund të funksionojë”-tha Chrystia Freeland, ministre e Jashtme e Kanadasë.
Agjencitë e inteligjencës në SHBA dhe BE, e kanë akuzuar hapur Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, akuza këto të cilat Moska i mohon me forcë.
Zgjedhjet parlamentare në Kanada pritet të mbahen në 21 tetor.
Top Channel