Kineasti grek Pheidon Papamichael nuk është thjesht fitues i shumë çmimeve kinematografike, apo një i nominuar për OSCAR për filmin Nebraska.

Por narrativa e tij e kinemasë është e veçante sidomos për bardh e zinë. Karriera e tij po arrin 50 filma. Dhe interesi është më i madh kur një erë e re e ndikimit ballkanik po zë fill në kinemanë botërore.

I ndodhur në Shqipëri kineasti që ka prekur një numër të madh yjesh të Hollywood flet ekskluzivisht për Top Channel.

Cila është arsyeja që viziton për herë të parë Shqipërinë?

Pheidon Papamichael: Është hera e parë që e vizitoj Shqipërinë. Kemi ardhur për të zbuluar vendin. Do të zgjedhim aktorë për filmin “Light Falls”, që do të xhirohet këtë verë. Flet për historinë e rinisë shqiptare që jeton në Greqi, që përballen me telashe rrethanore…

Si është të punosh me yje të Hollywood si George Clooney, Camerion Diaz, Tom Cruise etj?

Pheidon Papamichael : Ajo që nuk dinë njerëzit për personat e famshëm është që janë në fakt shumë punëtorë. Janë shumë profesionistë. NJerëzit mendojnë se kanë thjesht madhështi, thjesht shkojnë në shfaqje për Oskar, nëpër festa. Por i kanë vështirësitë njësoj si stafi. Duhet të zgjohen që në gjashtë. Duhet të pinë një kafe të keqe, të dalin e të punojnë në mes të të ftohtit ose të vapës. Gjëja më mahnitëse me aktorët më të mëdhenj është disiplina që kanë. Se sa fort punojnë. Yjet e mëdhenj janë profesionist, bashkëpunëtorë shumë të mirë. Dhe janë njerëz të lumtur, sepse e pëlqejnë atë që bëjnë.

Dimë që keni lindur në Greqi. Kur ju zgjua interesi për kinemanë?

Pheidon Papamichael : Babai im ishte piktor dhe drejtor artistik. Ka punuar që herët, në vitet ’60, për Xhon Kasavetis. Një regjisor shumë i famshëm i pavarur në Amerikë. Pra, kam qenë pranë asaj bote, edhe pse s’kam pasur qëllime të punoja në kinematografi. Por kur nisa ta zbuloj kinemanë, kisha të bëja më shumë me kinema franceze dhe italiane. “Vala e Re” Franceze, Neorealizmi italian… si dhe kinematografi japoneze. Thjesht shihja shumë filma dhe në një pikë kuptova që kjo ishte ajo që doja të bëja. Ishte një stil jete. Nuk është se doja vërtet të punoja.

Preferoni më shumë filmin bardh e zi apo atë më ngjyra. Kam ndërmend “Nebraskën” në këtë rast

Pheidon Papamichael : Më pëlqen filmi bardhezi. Kur bëmë Nebraskan ishte shumë emocionuese të punoje në bardhezi. Në fakt, filmi i parë që kam bërë ka qenë bardhezi. Isha shumë i emocionuar të bëja prapë punë në bardhezi. Të dy e pëlqyem shumë, si unë dhe Aleksander Pejn. Thoshim se duhej t’i bënim të gjithë filmat në bardhezi. Por është e vështirë. Është e vërtetë që shumica e njerëzve nuk i pëlqejnë filmat bardhezi. Nuk duan filma të huaj, nuk duan të lexojnë titra. Mendojnë se nëse është bardhezi, është thjesht diçka artistike e jo argëtuese, dhe nuk e shohin fare. Fatkeqësisht, nuk e bëjmë shumë. Dhe shumë studio, edhe në Nebraska, duhet të japim edhe një version me ngjyra.

Keni më shumë se 50 filma në karrierën tuaj. Jeni ende duke mësuar dicka?
Pheidon Papamichael : Gjithnjë mëson. Kjo është e bukura e të qenit regjisor filmash. Nuk ndalon kurrë së zbuluari mënyra të reja për të treguar histori. Çdo histori është ndryshe. Çdo histori është e re.

Ç’mund të thoni rreth kinemasë së ballkanit dhe asaj greke në vendin e kinemasë botërore. Kam parasysh regjisorin e ri premtues grek Lanthimos.

Pheidon Papamichael : Në Greqi kishim një “Valë të Re greke” që nisi me Lanthimos, Agiris. Është një grup i ri regjisorësh, një brez i ri. Në të shkuarën thjesht përpiqeshin të kopjonin kinematografinë amerikane, ose merreshin me komedi të zakonshme. Por ky grup është ndryshe, ka krijuar një stil të vetin dhe Lantimas ka pasur njohje ndërkombëtare, bashkë me të tjerë. Dalin shumë mirë në festivale. Por problemi, që do ta keni në Shqipëri, është se është e vështirë të gjesh mbështetje financiare për të bërë filma.

Top Channel