Fluksi më i madh i padive për punën sa herë ndryshojnë qeveritë, pedagogia: Nëse rekrutimet e punëmarrësve do të bëhen mbi baza paanshmërie…

28/04/2024 14:41

Eneida Sema, pedagoia e marrëdhënieve të punës në Fakultetin e Drejtësisë ishte e ftuar e radhës në podkastin “Fol me Anila Hoxhën” të transmetuar në Top Albania Radio”, një projekt i mbështetur financiarisht nga zyra e Marrëdhënieve me Publikun në ambasadën e SHBA në Tiranë.

Anila Hoxha: Sa i mbrojtur është punëmarrësi me kontratën e punës , qoftë ai me status të nëpunësit civil apo të çfarëdo lloj kategorie tjetër?

Eneida Sema: Përshëndetje. Mbrojtja që i garantohet punëmarrësit bëhet që në fillesat e marrëdhënies së punës, që në rekrutimin e punëmarrësve, në vazhdimësi në një marrëdhënie pune dhe në ndryshimin dhe përfundimin e marrëdhënieve të punës. Dhe duke qenë se praktika shqiptare është jashtëzakonisht e mbushur me çështje të largimit nga puna, ato kanë qenë më në fokus, në fakt. Legjislacioni i punës ka nevojë për përmirësim dhe për saktësim në këtë drejtim. Ka raste kur punëmarrësi mund të arrestohet dhe më pas gjykata në një vendim përfundimtar të japë pafajësi për këtë. Ndërkohë, që  nuk kemi një dispozitë që të garantojë rikuperimin e të gjithave pasojave fillimisht për vendin e punës dhe atyre financiare. Ne e dimë që kemi ligjin për statusin e nëpunësit civil ku përfshihen subjektet e posaçme dhe sigurisht që këto subjekte i referohen këtë ligji dhe gjykata po kështu në rastin e zgjidhjes së konflikteve dhe shqyrtimit të rasteve për të dalë në një vendim përkatës. Ndërkohë që subjektet e tjera, marrëdhënieje e punës e tyre do të rregullohet nga Kodi i Punës.

Anila Hoxha: Një punonjës me status të nëpunësit civil a është më i garantuar ? Apo  edhe ai është gati-gati i ekspozuar për sa kohë ligji parashikon vlerësimin e tij me notën 4(katër) dhe më pas, nëse merr 2 katra , ata e dërgojnë në gjykatë. Nga ndryshon?

Eneida Sema: Unë nuk do të thoja që ka më shumë mbrojtje për një subjekt apo për një tjetër.

Anila Hoxha: Kemi sërish shifra të larta të personave të cilët largohen nga detyra  dhe befas gjenden me një kontratë të ndërprerë. Çfarë nuk shkon?

Eneida Sema: Mendoj që për punëmarrësit, në sektorin publik dhe atë shtetëror duhen ndërhyrje në ligj për të amenduar pikërisht mënyrën e ripozionimit te tyre apo rehabilitimit të tyre pas dhënies së drejtësisë nga gjykata.

Anila Hoxha: Kemi parë  nga monitorimi i vendimeve gjyqësore se ka kryesisht 2 kategori verdiktesh. E para, të rikthehen në vendin e mëparshëm të detyrës që mbanin përpara largimit dhe e dyta janë dëmshpërblyer me disa paga, por nuk janë kthyer në vendin e punës.

Eneida Sema: Është zgjedhja e tyre. Pagat përgjithësisht  kanë të bëjnë, pra dëmshpërblimi , ka të bëj më shkakun e largimit ndërkohë që kemi edhe dëmshpërblime të tjera që mund ti shtohen dëmshpërblimit që ka lidhje me shkakun. Kodi i Punës, për subjektin e rregullimit të tij parashikon dëmshpërblim në rastin kur nuk respektohet procedura për largimin nga puna. Është detyrim për punëdhënësit, barra e provës gjithashtu përgjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor i takon punëdhënësit. Ndërkohë që kemi edhe afatin e njoftimit tek zgjidhja e kontratave pa afat.

Anila Hoxha: Dhe më tej është kategoria e atyre nëpunësve, atyre punonjësve të shërbimit civil për të cilën gjykata shprehet se duhet të kthehen në vendin e mëparshëm të punës që mbanin. Në shumë raste, kjo situatë vazhdon të jetë e pazgjidhur. Pra, këta individë nuk kthehen në  vendin e punës, teksa ndërkohë nga buxheti i shtetit ata paguhen sikur të ishin në vendin e punës dhe gati-gati krijohet ideja sikur është një administratë paralele. Nga njëra anë, ajo administrata le të themi që vijon të kryejë detyrat , të shkojë në punë , të paguhet dhe nga ana tjetër individë-qytetarët që kanë fituar të drejtën për tu kthyer në postin që mbanin. Por kjo gjë nuk është e zbatueshme në praktikë. A ka zgjidhje kjo situatë?

Eneida Sema: Është e vërtetë që  mundësitë e rikthimit zvogëlohen me  kalimin e kohës që ka të bëj me rikthimin e tyre. Ata zëvendësohen në vendin e tyre dhe bëhet e vështirë që të gjendet një pozicion punë i përafërt me atë që ishte më parë. Unë mendoj që ligji duhet të ndryshojë në këtë drejtim.

Anila Hoxha: Në çfarë aspekti? Çfarë duhet korrigjuar?

Eneida Sema: Mendoj që lidhur me këto raste të kemi ngritjen e një grupi ekspertësh, që të shikojë të gjitha mundësitë, për të konsideruar këtë lloj problematike dhe sidomos duke konsideruar kohëzgjatjen e rikthimit  dhe përcaktimit më të saktë të pozicioneve, në të cilat ata duhet të rikthehen dhe mënyrës së rikthimit. Pasi është kosto financiare për buxhetin e shtetit. Por, një zgjidhje që të ofrojë një alternativë më të shpejtë , më të shpejtë për rehabilitimin e tyre.

Anila Hoxha: Kemi vërejtur një fenomen tjetër. Të padive që kundërshtojnë vlerësimet, vlerësimin   e parë nga eprori. Po flas për vlerësimin e pamjaftueshëm në punë  që deri diku janë paralajmërim se punonjësi është duke u larguar . Pra , po përgatitet dosja e tij për ti treguar derën nga duhet të dalë dhe si ta  humbas punën, por në një mënyrë diplomatike. Por, në fakt aspak diplomatike për punonjësin që e humbet këtë vend pune. Ka diçka që nuk shkon në këtë aspekt?

Eneida Sema: Një vendim vlerësimi do të ishte i vështirë për tu kontestuar kur ai është i bazuar në një analizë të elementëve dhe objektiv.

Anila Hoxha: Nga ana tjetër kemi vërejtur dhe kryesisht ky konkluzion bazuar , në periudhat kohore kur dorëzohen paditë në gjykata, për humbjen e vendit të punës. Ne kemi kuptuar psh. që fluksi më i madh i padive është sa herë ndryshojnë qeveritë.

Eneida Sema: Mendoj se në këto raste kemi të bëjmë më largime nga puna, të bazuara në bindjet politike që është një nga shkaqet diskriminuese, përderisa ndodhin në periudha të tilla. Mendoj, se nëse rekrutimet e punëmarrësve do të bëhen mbi baza paanshmërie kjo do të jetë diçka pozitive, jo vetëm për produktivitetin në punë, për të patur eficencë në çdo lloj marrëdhënieje pune , por edhe për largimet nga puna sepse punëdhënësi do ta ketë më të vështirë që të largojë një të punësuar, që është punësuar jo për arsye politike.

Anila Hoxha: Si mund të realizohet kjo?

Eneida Sema: Do të thoja që edhe në aspektin e largimeve nga puna në tërësinë e vet është i plotë. Ka nevojë për përmirësim. Gjithmonë ka nevojë për përmirësim. Pse jo edhe thelbësor?! Të përshtatura me nevojat që ka realiteti shqiptar, por  lidhur me pyetjen  do të thoja që problemi qëndron më së shumti tek zbatimi. Dhe tek paanshmëria, objektiviteti që duhet të demostrohet, të tregohet që në fazën fillestare të punësimit. Nëse punësimet bëhen me baza partiake rrjedhimisht edhe  do të kemi përveç mungesës së eficencës dhe produktivitetit në punë, do të kemi edhe largime po të tilla. Mendoj që është koha që edhe shoqëria shqiptare të ndryshojë mendësinë e saj. Dhe  një punëdhënës në momentin e largimit në sektorin privat do  ta ketë të pamundur sepse shikon interesin e tij në rezultatin e shërbimit që merr. Ndërkohë në sektorin publik do ta ketë shumë të vështirë sepse vetë shoqëria shikon cilësinë e shërbimit që është në nivele të larta. Por, në një kohë kur shoqëria është e pakënaqur nga cilësia e shërbimit një punëdhënës e ka më të lehtë të shkelë ligjin.

Top Channel