Në Rrëshen, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin se po detyron mirditorët të largohen nga vendi, ndaj i ftoi që më 16 shkurt t’i bashkohen protestës së opozitës për të larguar ata Edi Ramën.
“Unë e di se nuk ka gjë më të rëndë sesa të largohesh nga vendi yt. 18 vjeç jam larguar në kërkim të mundësive dhe e di se nuk ka gjë më të çmuar sesa vendi yt. Të gjithë së bashku, në datën 16 t’i japim fund këtij ‘grushti shteti’. Ky është ‘grusht shteti’ jo nga ushtarakët, por nga kriminelët. Kanë marrë shtetin peng, kanë marrë institucionet peng”, tha Basha.
Kryedemokrati tha se Rama i ofron mbrojtje politike jo vetëm kriminelëve, por edhe politikanëve, për një arsye.
“Edi Rama i mbron për arsyen e vetme, që ju e kuptoni të gjithë, se pas kësaj skeme është vet Edi Rama. Siç është pas skemës së çdo koncesioni, çdo PPP-je dhe çdo tenderi. Edhe qeveria më e korruptuar e botës do ta kishte futur në burg ministrin e një tenderi si ai tek ‘Unaza’, ku me 20 milionë euro/km, bëhej gati grabitja e parave të popullit më të varfër të Europës, për të mbushur xhepat e politikanit më të korruptuar të Europës, që ka zaptuar karrigen e kryeministrit”, tha Basha.
PD, protesta nga Shkodra deri në Gjirokastër
Këtë të shtunë, opozita i shtriu protestat e saj në disa qytete të vendit njëherësh. Në Shkodër, Peshkopi, Korçë dhe Gjirokastër, protestuesit kërkuan largimin e Ramës.
Top Channel