Nderimet për Ratko Mladić në Serbi, Ministri Hoxha: Glorifikimi i kriminelëve të luftës bie ndesh me vlerat evropiane
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave dhe publikimit të një regjistrimi audio nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
Në një deklaratë publike, Berisha akuzon kryeministrin Rama se, përmes kompanisë “KAYO” dhe biznesmenit Ron Yeffet, është përfshirë në një aktivitet të paligjshëm të tregtimit të armëve. Ai iu referua edhe një regjistrimi audio të publikuar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku dëgjohet Yeffet.
“Një vend anëtar i NATO-s merret me trafikun e armëve. Ai shfrytëzon luftën në Ukrainë për të mbuluar trafikun e tij kriminal të armëve”, shprehet Berisha.
Sipas kreut të PD, regjistrimi i publikuar nga Ahmetaj, ku dëgjohet Ron Yeffet, dëshmon përfshirjen e Ramës dhe të biznesmenit në veprimtari që Berisha i cilëson si “punë të pista” dhe “krim të rëndë të kontrabandës së armëve”.
Berisha e ka cilësuar këtë si një “megaskandal ndërkombëtar” dhe ka bërë të ditur se opozita do të depozitojë urgjentisht në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar.
“Kontrabanda e armëve e Edi Ramës është një rast i paprecedentë në botë: përveç drogës, ai tashmë u është kthyer edhe armëve”, deklaron Berisha.
Reagimi i plotë:
Të dashur miq, Ramaduro nuk ngopet vetëm me trafikun e drogës, por përmes ndërmarrjes shtetërore dhe Ronit të tij shkelin ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare. Një vend anëtar i NATO-s merret me trafikun e armëve. Ai shfrytëzon luftën në Ukrainë për të mbuluar trafikun e tij kriminal të armëve.
Arben Ahmetaj, në intervistën e tij me Çim Pëkën, publikoi regjistrimin me zë të Ron Yeffet-it, trafikantit të Edi Ramës. Në të faktohet qartë se Edi Rama dhe Roni i tij, përmes ndërmarrjes së tyre “Kayo” dhe me ndihmën e Nufit, në shkelje flagrante të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, bëjnë trafik ndërkombëtar armësh. Ata e përdorin Shqipërinë, vend anëtar i NATO-s por dhe çiflik i Padrinos, për ta paraqitur si vend eksportues të armëve që blejnë apo prodhojnë në zona luftimesh, si Sudani etj.
Në regjistrimin e bisedave telefonike të Ron Yeffet-it të Ramës, del se ai e di që po bën punë të pista, por u pohon bashkëbiseduesve se është i ngarkuar për të bërë punët e pista në këtë rast, krimin e rëndë të kontrabandës së armëve të qeverisë, në fakt drejtpërdrejt të Edi Ramës.
E dënoj me forcën më të madhe këtë krim të shëmtuar. Kontrabanda e armëve e Edi Ramës është një rast i paprecedentë në botë: përveç drogës, ai tashmë u është kthyer edhe armëve.
Opozita do të depozitojë urgjentisht në Kuvend kërkesën e saj për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për këtë megaskandal ndërkombëtar të Edi Ramës.
Top Channel