“Kam shumë dëshirë të flas për asgjë. Është e vetmja cështje për të cilën di gjithcka”. Është kjo një përsiatje mendimi e shkrimtarit të njohur Oscar Wilde, ndoshta frymëzimi nga ku ka nisur të shkruhet dhe romani “Gjithcka rreth asgjësë” i autores së re Flogerta Krypi.

Në Panairin e Librit 2018 në muajin nëntor, Flogerta Krypi është përzgjedhur ndër autorët për çmimet e para duke rrëmbyer një cmim vlerësues nga juria, cmimin inkurajues për romanin “Gjithçka rreth asgjësë” me motivacionin, “origjinaliteti në përshkrimin e njerëzores”.

Romani “Gjithçka rreth asgjësë”, përmbledh novelat “Më blij një kujtim” dhe “Dy një të dytat e humnerës”. Që në aktin e parë të një drame, autorja hyn e shqetësuar për fatin e njeriut. Njerëzit bëjnë pyetjet e gabuara, shpjegon ajo gjatë një bashkëbisedimi me gazetaren Monika Stafa për rubrikën Vitrina e Librit dhe këtë mendim e përforcon ajo që nga nis faqen e parë të leximit të romanit të saj. Autorja duket na përplas në fytyrë të vërtetën: njerëzve u pëlqen t’i komplikojnë gjërat, duke krijuar kështu një “gjithçka të frikshme” nga “një asgjë” e thjeshtë. “Asgjë” dhe “gjithçka”, shton ajo më tej, dy koncepte-antitezë, të pranëvëna guximshëm që në titull, krijojnë një antitezë edhe më të fuqishme, e cila shpjegon thelbin e jetës sonë. Por a është vërtet kështu, e pyesim ne. A e mpleksim asgjënë me dashje për të krijuar gjithçkanë, duke munduar shpirtin tonë? A jemi të vetëdijshëm për këtë mundim që ia krijojmë vetes? Kjo prirje e mbrapshtë jona ia mundon shpirtin Flogertës, e këtë gjë ajo e pohon vetë në bisedë. Me dilemat që e godasin si çekan, autorja ngre shqetësime ekzistenciale që në fillim të rrëfimit të saj. Ajo nuk është e merakosur vetëm për njerëzit që jetojnë, por edhe për ata që ikin e nuk kthehen më. Shqetësimi për fatin tonë të papërcaktuar, shpesh të mbrapshtë dhe pesha e frikës se mund të jetojë e të ikë e pakuptuar nga kjo jetë, e kanë frymëzuar Flogerta Krypin të shkruajë dy novela të mrekullueshme, pasi ajo e ndien se ka një mision për të kryer, duke na ftuar drejt një jete, të cilën duhet ta jetojmë siç duhet.

Novela “Më blij një kujtim” nis me një pohim të thjeshtë, por tronditës, si në një roman absurdi: “Ishte një ditë e zakonshme vjeshte kur F.K. vendosi të vriste veten”. Personazhi, është një njeri që e ka ndarë mendjen se do të largohet nga kjo botë dhe i vetmi person të cilit i zë besë është sekretarja e tij, të cilës i lë një shënim, ku ndër të tjera thuhet: “Nuk e di as vetë se kur do kthehem, ndaj, përpara se të iki, kam shumë dëshirë të blesh një kujtim për mua… Duhet të gjej veten, se nuk e mbaj mend ku e kam braktisur”. Dhe e porosit atë që t’ua dërgojë në kohë nga një telegram miqve dhe familjarëve të tij. Me aq pak kujtime sa i kishin mbetur, para vdekjes së zgjedhur me “vullnet të lirë”, ai kishte vendosur t’u kërkonte njerëzve të afërt t’i blinin nga një kujtim. A do të arrijë ai t’i marrë kujtimet që do para se të ikë nga kjo botë me dashje?

Ndërsa novela “Dy një të dytat e humnerës” rrëfen historinë e një dashurie të pamundur mes një shkrimtareje “të pushtuar” nga fantazmat dhe një mjeku të dashuruar gjer në palcë pas saj, të cilët rreken përditë, pak nga pak, të gjejnë rrugën: ajo për te vetja, ai për tek ajo. E shkruar në formën e një ditari, si një dialog imagjinar mes dy personazheve, novela e ndarë në tre pjesë është tejet drithëruese. Kjo është një histori e trishtë, që duket sikur bërtet me sa fuqi se i vetmi shpëtim për njeriun është dashuria për vetveten, ndërsa mungesa e saj është baraz me asgjë.

Vetmia mua as nuk më ka çmendur, as nuk më ka shndërruar në gjeni. Mbase, sepse, më shumë sesa vetmia, gjatë gjithë jetës, më ka pëlqyer ideja e të qëndruarit vetëm, pa njerëz që i njoh, pa fytyra që përsëriten në pragje dyersh gjysmë të hapura, për të parë çfarë ndodh në jetën time. Ndonjëherë, më duket sikur çdo portë e qytetit të Khalanit ka një magnet për tërheqjen e veshëve apo syve kureshtarë për informacion. Askush nuk paguhet për të përgjuar apo përgojuar, por sërish e bëjnë. E unë i lejoj, për një arsye të thjeshtë. Nuk ka asnjë mënyrë për të ndaluar dikë të merret me jetën tënde. Kjo është formë mbijetese në Khalan. Kështu ushqehen njerëzit, me frikë, thashetheme, intriga dhe fjalë të shpërdoruara.

Fragment nga novela “Më blij një kujtim”

Top Channel