BE përgatitet për zgjerimin, analiza nga REL: Anëtarët e rinj mund të kenë të drejtë vote të kufizuar

10/06/2026 09:47

Një grup shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë propozuar që anëtarët e ardhshëm të bllokut, gjatë një periudhe kalimtare pas pranimit në bllok, të kenë të drejta të kufizuara.

Në mesin e kufizimeve kyç është propozimi që anëtarët e rinj të kenë të drejtë të kufizuar vote.

“BE-ja duhet të zhvillojë një diskutim të detajuar mbi mundësinë e kufizimeve të përkohshme, kalimtare të së drejtës së votës për shtetet e reja anëtare, veçanërisht në fushat e acquis-së së BE-së ku kërkohet unanimitet [për shembull zgjerimi, politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë, korniza shumëvjeçare financiare], duke marrë parasysh ndjeshmërinë juridike dhe politike”, thuhet në të ashtuquajturin non-paper të nënshkruar nga Gjermania, Franca dhe shtetet e Beneluksit (Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu).

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në këtë dokument jozyrtar. Non-paper është dokument joformal që përdoret në qarqet diplomatike evropiane për paraqitjen e ideve të reja, testimin e qëndrimeve ose propozimin e zgjidhjeve, pa e detyruar palën që e paraqet atë të marrë qëndrim formal.

Për momentin, i vetmi shtet me gjasa reale për anëtarësim të ardhshëm në BE është Mali i Zi, pasi Bashkimi Evropian ka marrë vendim për formimin e një grupi ad hoc që do të punojë në hartimin e draft-marrëveshjes së anëtarësimit.

Kjo është hera e parë pas 17 vjetësh që BE-ja nis punën për tekstin e një marrëveshjeje anëtarësimi, pas vitit 2009, kur i njëjti proces filloi për Kroacinë.

Kroacia është anëtare me të drejta të plota e BE-së që nga viti 2013, gjë që përbën periudhën më të gjatë në historinë e bllokut evropian pa zgjerim, përkatësisht pranim të anëtarëve të rinj.

Në dokument theksohet se situata gjeopolitike ka ndryshuar ndjeshëm që nga hyrja e Kroacisë në BE dhe se, siç thuhet, zgjerimi nuk shihet më vetëm si një proces teknik i bazuar në merita, por si një investim strategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës.

Autorët e dokumentit konsiderojnë se nevojitet një model i përgjithshëm për marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit dhe një katalog opsionesh që mund të përshtatet me veçoritë e secilit shtet kandidat. Aty propozohet po ashtu hartimi i një kornize standarde për marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit, me mundësinë e përshtatjes për kandidatët individualë dhe sfidat që anëtarësimi i tyre mund t’i sjellë BE—së.

Këto pesë shtete anëtare të BE-së propozojnë forcimin dhe zgjatjen e vlefshmërisë së klauzolave mbrojtëse, të cilat do të zbatoheshin për çështje që lidhen me sigurinë e brendshme të BE-së, sigurinë ekonomike dhe qëndrueshmërinë ndaj ndërhyrjeve të huaja.

Vëmendje e veçantë në forcimin e sundimit të ligjit

Sipas dokumentit, sundimi i ligjit është fusha më e rëndësishme në të cilën do të zbatoheshin klauzolat mbrojtëse. Pesë shtetet anëtare të BE-së propozojnë të ashtuquajturën klauzolë për parandalimin e prapakthimit në raport me vlerat evropiane dhe sundimin e ligjit. Shkelja e këtij obligimi, siç thuhet në dokument, mund të aktivizojë automatikisht sanksione financiare, procedura për shkeljes ose mekanizma të rinj mbrojtës.

Po ashtu, propozohet që institucionet e BE-së të kenë mundësinë të reagojnë ndaj cenimit serioz të sundimit të ligjit, parimeve demokratike dhe lirisë së mediave.

Ndër të tjera, propozohet që masat e mundshme të përfshijnë edhe pezullimin e formave të caktuara të bashkëpunimit me shtetin e ri anëtar që bën këto shkelje.

Po ashtu, konsiderohet se pjesëmarrja në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian duhet të jetë një parakusht politik për anëtarësimin e shteteve të reja. Kjo shihet si një instrument i rëndësishëm për mbrojtjen e sundimit të ligjit dhe luftimin e keqpërdorimit të fondeve evropiane.

Parandalimi i bllokadave të mundshme dhe mungesës së bashkëpunimit

Në dokument propozohet futja e një klauzole të veçantë që do t’u kujtonte anëtarëve të rinj detyrimin për bashkëpunim besnik me Bashkimin Evropian.

“Sjellja që minon unitetin, besimin e ndërsjellë dhe procesin e vendimmarrjes në BE i shkakton dëm serioz gjithë bllokut evropianë”, vlerësojnë autorët e dokumentit.

Për këtë arsye, ata konsiderojnë se marrëveshjet e anëtarësimit duhet të përmbajnë mekanizma për reagim ndaj një sjelljeje të tillë. /REL

Top Channel