Nga beteja me kancerin kur ishte vetëm 18 muajsh te Botërori, kush është ylli 23-vjeçar që luftoi me jetën dhe realizoi ëndrrën e tij

10/06/2026 12:37

Jayden Nelson ka kaluar një nga sfidat më të vështira të mundshme në jetë, duke u diagnostikuar me një formë të rrallë të kancerit testikular kur ishte vetëm 18 muajsh.

Sot, 23-vjeçari ka arritur një tjetër kulm të jashtëzakonshëm në karrierën e tij, duke marrë një ftesë të papritur për të qenë pjesë e skuadrës së Kanadasë në Kupën e Botës.

Ftesa e Nelson vjen pas dëmtimit të ish-yllit të Arsenalit, Marcelo Flores, i cili u detyrua të tërhiqej nga turneu pas një dëmtimi të ligamentit të kryqëzuar gjatë finales së Concacaf Champions Cup muajin e kaluar. Fillimisht pjesë e listës së rezervave nën drejtimin e trajnerit Jesse Marsch, Nelson u përfshi në ekipin zyrtar në momentin e fundit.

Historia e Nelson është frymëzuese. Në moshën 18 muajsh, ai u diagnostikua me një kancer të rrallë qelizash germinale, i cili më pas u përhap në mushkëri. Mjekët paralajmëruan se kishte shumë pak gjasa që ai të bëhej futbollist profesionist apo të kishte një jetë aktive. Por Nelson sfidoi të gjitha këto parashikime, përjetoi kimioterapi dhe mori shenjën e “të shëndetshëm”.

“Kam qenë vetëm 18 muajsh kur më diagnostikuan me një kancer të rrallë. Fillimisht u rikuperova, por pastaj u përhap në mushkëri. Mund të kisha vdekur, dhe mjeku tha se kishte pothuajse zero mundësi të bëhesha futbollist profesionist. Por unë sfidova shanset,” tha Nelson për GIVEMESPORT.

Ai shtoi se dëshiron të ndajë historinë e tij për të frymëzuar fëmijët e tjerë që të përballojnë situata të errëta dhe të dalin më të fortë. “Tani jam në një mision për të ndarë historinë time dhe për të shijuar çdo moment të jetës,” tha ai.

Nelson iu bashkua klubit Austin në Texas nga Vancouver Ëhitecaps në dhjetor të kaluar dhe ka luftuar për t’u rikuperuar nga dëmtimet në fillim të sezonit të MLS për të mbajtur gjallë ëndrrën e tij për Botërorin. Ai mendon se stili i trajnerit Jesse Marsch, i cili kërkon më shumë intensitet dhe presion në fushë, e ka ndihmuar të zhvillojë lojën dhe aftësitë e tij.

“Të futem në skuadrën e Botërorit me Jesse Marsch është natyrshëm një ëndërr. Përpiqem të punoj fort çdo ditë. Më ka ndihmuar shumë të përmirësoj intensitetin dhe teknikat e mia. Mendoj se jam tipi i lojtarit që kërkon Jesse: i shpejtë, teknik dhe i përkushtuar,” tha Nelson.

Kanada hap Grupin B me një përballje ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës të premten dhe do të përballet edhe me Katarin dhe Zvicrën, duke kërkuar fitoren e parë në histori në Kupën e Botës.

Jayden Nelson tashmë është bërë një shembull frymëzimi jo vetëm për talentin e tij, por edhe për këmbënguljen dhe forcën personale që e kanë çuar nga sfida e kancerit deri në ëndrrën e tij më të madhe: Botërori.

Top Channel