“Gjithcka erdhi nga deti”…Këto janë rreshtat e parë të romanit “Rojtari i fundit” të Gaëlle Josse (Gael Zhos), poetes dhe romancieres franceze, vlerësuar me disa cmime europiane.
Subjekti mbështetet në ngjarje që zhvillohen përgjatë nëntë ditëve të fundit të një historie në Ellis Island, në nëntor të vitit 1954. Edhe pak ditë kanë mbetur para se qendra e Elis Island, nga e cila kanë kaluar gjithë emigrantët nga Europa që nga viti 1892, të mbyllet përfundimisht. Xhon Miçëll, nëpunësi i fundit që ka mbetur aty, nis të mbajë një ditar.
Rrëfyesi duket se ka një marredhenie të papërcaktuar me ishullin, ndërsa ndër mend i sillen plot kujtime që lidhen me ritmin e nxituar të jetës, në të cilën dikur ishte përfshirë. Ellis Island, është një ishull, i cili për miliona njerëz, mbetej stacioni i vetëm, shpresëplotë për të mbërritur në tokën e premtuar, L’Amerika. Nëpërmjet një rrefimi të fragmentuar, John Michell, personazhi qendror i romanit përshkruan ngjarjet e dhimbshme e plot vuajtje të fund shek. të 19-të dhe fillim shek. të 20-të, kur me miliona njerëz zbarkuan në këtë vend. Të lodhur prej morisë së një turme të zhuritur, e shpesh here të sëmurë mes amerikanëve që i prisnin trishtueshëm për t’i dhënë ndihmën e parë. John Michell, ndien nevojën të çlirohet nga disa kujtime, të cilat vijnë të ndërprera, si valët e detit që përplasen në bregun e ishullit të famshëm. Me pak anë të errët midis, ai na tregon dy historitë e forta të dashurisë që shenjuan jetën e tij. Në njërën anë, Lizi, bashkëshortja e dashur dhe Nela, emigrantja nga Sardenja, me të cilën ai perjetoi një tërheqje fatale, një ndjesi të përkore që nuk do i ndodhte me asnjë grua tjetër. Karakteri i saj sfidues dominon romanin duke na dhuruar një histori romantike por dhe shumë misterioze njëherësh. Josse, romancierja e vlerësuar me cmimin europian të letërsisë, e bën këtë pa ndonje patetizëm të dukshëm duke na kujtuar, se t’u kthehesh kujtimeve në fund të fundit, është një gjë e kotë. Një nga motivet më të rëndësishme që Gaëlle Josse ka lozur në romanin “Rojtari i Fundit” është ai i “Ëndrrës Amerikane”. Një histori njerëzore mbushur me mirësi, ajo shton dilemat mbi fenomene të tilla si lumturia, marrëdhënia e pathyeshme mes njeriut dhe mjedisit apo dhe pamundësisë se tij, për t’u çliruar nga demonët e se kaluarës.
Top Channel