Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot qytetin e Pogradecit, ku u mikprit nga Kryetari i Bashkisë, Eduard Kapri, përfaqësues të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe qytetarë të shumtë pogradecarë.
Në një atmosferë të ngrohtë e miqësore Presidenti Meta së bashku me shumë vizitorë të ardhur edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë, përuruan hapjen tradicionale të “Festës së Verërave 2018” apo siç njihet ndryshe, të hapjes së buteve (fuçive) të verërave të reja, duke uruar: ‘’Gëzuar verën e re’’!
Presidenti Meta shprehu vlerësimin dhe konsideratën për organizimin e të tilla veprimtarive popullore dhe tradicionale, të cilat i shërbejnë si promovimit të prodhimeve vendase, ashtu edhe zhvillimit të turizmit.
“Të gjithë e duan Pogradecin, jo vetëm për historinë, traditat, por edhe për kontributet e jashtëzakonshme që ka dhënë përgjatë gjithë historisë për kombin tonë.
Të gjithë e duan Pogradecin, jo vetëm për peizazhin e jashtëzakonshëm, për klimën, për qetësinë, por e duan dhe dëshirojnë të kthehen gjithmonë këtu për mikpritjen e pogradecarëve.
Një përshëndetje për të gjithë prodhuesit, për mikpritësit pogradecarë, për të gjithë verëbërësit dhe “çudibërësit” e kulinarisë lokale. Një urim për të gjithë ju, për këtë festë kaq të bukur që keni gjetur për ta organizuar në një moment shumë domethënës: në prag të Krishtlindjes, në prag të festës së ndërrimit të viteve!
Me këtë rast duke uruar të gjithë prodhuesit, të gjithë mikpritësit pogradecarë, të gjithë popullin, le të punojmë të gjithë së bashku, për një Vit të Ri më të mbarë, më të bashkuar, më me urtësi e më me begati për të gjithë shqiptarët!” – theksoi Presidenti i Republikës.
Top Channel