Në prag të mbylljes së dy fazave të para të këtij sezoni 2018/2019 të Superligës dhe në mbyllje të vitit kalendarik, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa bën bilancet vjetore duke filluar nga Superliga.
Duka: “Është një garë akoma më e fortë se e edicionit të kaluar dhe e organizuar edhe më mirë, në të gjitha këndvështrimet është një kampionat më i mirë se i mëparshmi”.
Top Channel: Po atëherë përse stadiumet janë akoma më bosh?
Duka: “Kushtet e stadiumeve, ndoshta është edhe trasmetimi i drejtpërdrejt i të gjitha kampionateve të tjera qartazi më të forta se i joni. Kështu nëse do të luhet një ndeshje Real-Barcelona, njerëzit preferojnë të rrinë në shtëpi e t’i shohin të dyja pasi edhe Superliga trasmetohet drejtpërdrejt. Menaxhimi dhe promocioni nga vetë klubet dhe mënyra se si duhet t’i afrojnë ata, të gjitha këto nuk janë bërë mirë”.
Top Channel: Po sa i përket Skënderbeut dhe akuzave për mungesë interesi hera-herës, në pritje të vendimit të KAS për dënimin e UEFA-s?
Duka: “Nuk shoh asnjë cedim në kampionat nga Skëndërbeu. Ka pasur angazhim maksimal dhe është shumë i interesuar për të patur një klasifikim sa më të mirë. Nëse do të lejohet të marrë pjesë në sezonin e ardhshëm në kupat e Europës apo jo, do ta vendos KAS-i”.
Top Channel: Ndërkohë skuadra e fundit e Kastriotit në ndeshjen e rradhës u akuzua nga vetë trajneri i saj Nica për mosbindje të lojtarëve. Komenti juaj?
Duka: “Nuk është asnjëherë një gjë e mirë kur krijohen shkëputje nga fillimi apo nga fundi, duke e bërë më pak të interesuar. Ekipet duhet ta vlerësojnë maksimalisht ndeshjen, në fund të fundit kjo është një lojë për të cilën kanë bërë maksimumin për t’u ngjitur në Superligë”.
Top Channel: Tirana e sapongjitur në kategorinë Superiore pas dy fazave të para vuan një krizë të thellë që po e çon sërish drejt kategorisë së parë. Ç’duhet të bëjë që të tejkalojë këtë situatë?
Duka: “Më vjen keq për pozitën që është Tirana pasi ka mundësi më shumë se sa të tjerët. E përsëris që më vjen keq, por kjo nuk mund të përmirësohet me urim, e nuk mund të përmirësohet me dëshirë nëse nuk do të ketë një menaxhim më të mirë, që i mungon Tiranës. Nëse nuk do të ketë një menaxhim më të mirë, Tirana do të vazhdojë të vuajë”.
Top Channel: Por jo vetëm bardhë-e-blutë, janë të shumta skuadrat që në këtë mbyllje të vitit kalendarik kanë disa muaj paga të prapambetura?
Duka: “Klubet nuk duhet të tentojnë të paguajnë më tepër se sa i kanë kapitalet e tyre. Ky është një gabim i madh. Çdo klub duhet të ketë një buxhet të parashikuar dhe të mbulojë shpenzimet me vetë të ardhurat që vijnë nga klubi nga vetë futbolli, nga të ardhurat e të drejtës televizive, nga të ardhurat e biletave e sponsorëve, etj. Ka qenë një lloj periudhe tranzicioni e cila forcohet vit pas viti, për të ardhur në idealen që ne nuk do të lejojmë më klube me bilance negative.
Top Channel: Sa i përket kombëtares, Liga e Kombeve, pavarësisht e konsideruar si një dështim, a ka shpërbyer për diçka?
Duka: “Në ambientimin e stafit teknik, pas një stafi të suksesshëm që arriti me Shqipërinë të hymë në Euro 2016-të, evidentimin e disa futbollistëve të rinj që do të kemi edhe për eliminatoret e ardhshme të Europianit”.
Top Channel: Edhe pse Panuci u rikonfirmua edhe për eliminatoret e Europianit, a duhet të shohim te trajnerët shqiptarë?
Duka: “Shkolla shqiptare e trajnerëve ka filluar rreth vitit 2004 e njohur ndërkombëtarisht e nga UEFA dhe me licencë që mund të punosh në çdo vend të Europës. Por mund të konsiderohet një shkollë e re, 2004-2018 janë pak vite, por gjithsesi, produktet e asaj shkolle janë trajnerët e rinj që ju sot shihni në pankina dhe që jam i bindur që janë të gatshëm sa më shumë eksperiencë të marrin, të drejtojnë edhe ekipin kombëtar A”.
Top Channel: Po për vendimin tuaj pas përfundimit të mandatit të pestë në krye të FSHF, është gara për një vend në komitetin e qeverisë europiane të futbollit UEFA, ashtu si dy vite më parë?
Duka: “Ka qenë i njëjti qëllim edhe tani si dy vite më parë: të shoh Shqipërinë në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Sinqerisht nuk e kam menduar ndonjëherë të shoh Armand Dukën si anëtar të komitetit, por në çdo lloj vendi të shoh Shqipërinë një pozicion më lart. Ky ka qenë qëllimi, qoftë herën e parë qoftë edhe tani. Gjithësesi edhe këtë e shoh si sport”.
Top Channel