Nisma e fundit ligjore e qeverisë për disiplinimin e informacionit dhe lajmit, ka qenë tema që është diskutuar këtë të hënë në studion e Top Talk. Duhet thënë se nisma dhe ky qëndrim i Kryeministrit pason raportin vjetor të Organizatës Ndërkombëtare “Reporterë pa Kufi” që kishte tone kritike për qasjen e pushtetit ndaj medias, intimidimit të gazetarëve apo dhunës ndaj tyre. Duke marrë shkas nga nisma e kryeministrit Rama në studion e Top Talk ka qenë i ftuar Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Aleksandër Çipa.
Për kryetarin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, nisma nuk mund të mbetet vetëm e qeverisë, pasi projekti ka domosdoshmëri gjithë-përfshirjen.
“Gjithëpërfshirjen e grupeve të interesit, aktorëve që janë potentë në fushën mediatike. Me zë dhe që janë me autoritet në fushën profesionale”, u shpreh Aleksandër Çipa.
Më tej ai shton se Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë nuk është kundër ngritjes së një enti rregullator, por këtë nuk mund ta bëjë AMA.
“Autoriteti i Mediave Audiovizive edhe në akronimin e vet nuk përfshin një sektor tjetër siç janë mediat e reja. Për këtë Grupet e interesit, shoqatat e gazetarëve dhe në mënyrë të veçantë edhe institucionit e ekspertizës të funksionit që kanë mediat të ishin pjesë e një sipërmarrje rregulluese. Të mos kishim një protagonizëm nga një pushtet që ka konflikt interesi”, tha Çipa.
Top Channel