“Nuk e kontrolloni ju Ngushticën e Hormuzit”/ SHBA i kthehet Iranit: Do të bëjmë të mundur lundrimin e lirë

12/07/2026 17:07

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara ka reaguar ndaj deklaratave të Iranit për Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se kjo rrugë ujore ndërkombëtare nuk është nën kontrollin e Teheranit dhe mbetet e hapur për të gjitha anijet që respektojnë ligjin ndërkombëtar.

Në një deklaratë zyrtare, CENTCOM theksoi se Ngushtica e Hormuzit është e aksesueshme për të gjitha anijet që dëshirojnë të kalojnë në mënyrë të ligjshme, duke kundërshtuar pretendimet e autoriteteve iraniane.

“Forcat amerikane janë të vendosura dhe të gatshme për të garantuar lirinë e lundrimit, pavarësisht agresionit, ngacmimeve, kërcënimeve dhe deklaratave arbitrare e të pajustifikuara të Iranit”, thuhet në reagimin e Komandës Qendrore të SHBA-së.

Deklarata vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme në Gjirin Persik, ku Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga korridoret më strategjike të transportit detar në botë.

Përmes saj kalon një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës dhe gazit, ndaj çdo kërcënim për lirinë e lundrimit në këtë zonë shihet me shqetësim nga komuniteti ndërkombëtar.

Top Channel