Vetëvrasje apo helmim? Teori të reja mbi vdekjen e futbollistit afrikano-jugor: Mund të ketë humbur jetën nga një gabim i infermieres

12/07/2026 17:18

Futbolli i Afrikës së Jugut është tronditur nga një humbje e rëndë. Jayden Adams, mesfushori 25-vjeçar i kombëtares “Bafana Bafana”, është gjetur pa jetë në një zonë periferike të Cape Town, vetëm pak ditë pas përfundimit të aventurës së skuadrës së tij në Botëror.

Pamjet e festimeve në dhomat e zhveshjes pas fitores ndaj Koresë së Jugut më 25 qershor, që i siguruan Afrikës së Jugut kalimin historik në fazën tjetër të turneut, tashmë shihen me një tjetër emocion. Mes lojtarëve që këndonin, kërcenin dhe festonin, Adams shihet i ulur vetëm në stol, larg atmosferës së gëzimit, i zhytur në mendime.

Lojtari i Mamelodi Sundowns, klubit më të suksesshëm në vend, kishte luajtur tre ndeshjet e para të turneut, ndërsa qëndroi në stol në sfidën e fundit ndaj Kanadasë, një ndeshje që solli eliminimin e Afrikës së Jugut.

Pak para ndeshjes së dytë ndaj Republikës Çeke, Adams kishte marrë lajmin e rëndë për ndarjen nga jeta të gjyshes së tij 72-vjeçare, me të cilën kishte një lidhje shumë të fortë. Federata e Futbollit të Afrikës së Jugut bëri të ditur se lojtari kishte luajtur pavarësisht dhimbjes së madhe emocionale, “duke mbajtur një peshë brenda vetes”.

Pas ndeshjes ai kishte dhënë edhe intervistat e zakonshme për mediat, ndërsa shokët e skuadrës i afroheshin për ta mbështetur me përqafime dhe goditje në shpatull.

Vdekja e tij ka ngritur shumë pikëpyetje. Disa media në Afrikën e Jugut kanë hedhur dyshime për një vetëvrasje të mundshme, duke e lidhur me një gjendje depresive që, sipas njerëzve pranë tij, mund të kishte qenë e fshehur.

Partnerja e Adams ka treguar se pas vdekjes së gjyshes ai kishte pasur vështirësi me ushqimin dhe kishte luftuar me depresionin. Sipas saj, edhe gjatë komunikimeve gjatë Botërorit, ai “nuk dukej më i njëjti”.

Megjithatë, burime të tjera në Afrikën e Jugut raportojnë se mund të mos bëhet fjalë për vetëvrasje. Sipas këtyre versioneve, Adams ishte paraqitur në spital me simptoma të një helmimi ushqimor dhe dyshohet se gjendja mund të jetë nënvlerësuar ose trajtuar gabimisht.

Hetimet në shtëpinë e tij në Cape Town kanë zgjatur disa orë, ndërsa priten rezultatet zyrtare që do të sqarojnë shkaqet e vdekjes.

Ministri i Sportit i Afrikës së Jugut, McKenzie, reagoi me dhimbje për lajmin:
“Me një ndjenjë tronditjeje të thellë dhe zemër të rënduar mësova për vdekjen e tij. Futbolli i Afrikës së Jugut ka humbur një nga talentet e tij më të ndritur”.

Adams ishte një nga zbulimet e Afrikës së Jugut në këtë Botëror, ku kombëtarja rikthehej pas 16 vitesh mungesë. Ai luante si mesfushor ofensiv dhe sapo kishte filluar të tërhiqte vëmendjen e drejtuesve të federatës për të ardhmen e tij.

Përtej karrierës sportive, ai ishte baba i një vajze vetëm 5-vjeçare.

Por tragjedia e fundit nuk ishte dhimbja e parë e madhe në jetën e tij. Në vitin 2023, Adams humbi mikun e tij më të mirë, Oshwin Andries, kapitenin 19-vjeçar të kombëtares U-20.

Andries u vra pas një konflikti në një lokal, ku një person e goditi me thikë pas një keqkuptimi. Edhe pse fillimisht u largua nga spitali dhe u kthye në stërvitje, ai ndërroi jetë pak ditë më vonë gjatë rrugës për t’u rikthyer në spital.

Top Channel