Pas derbit të Londrës, një tjetër derbi spektakolar propozoi kampionati anglez i futbollit sot, pasi në “Anfield Road”, Liverpooli u përball me skuadrën tjetër të qytetit, Evertonin.
“The reds” arritën të fitojnë në frymën e fundit, në një 90-minutësh më tepër se spektakolar, por që u vendos nga një gol i Divock Origit në sekondat e fundit shtesë.
Skuadra e Klopp ishte protagoniste në fushë, teksa kërkoi vazhdimisht golin, por nuk arriti të thyejë portierin Pickford, ndërsa Everton bëri një ndeshje mjaft të organizuar mirë dhe mbajti larg kundërshtarin.
Por kur gjyqtari po përgatitej të vërshëllente mbarimin e ndeshjes, Van Dijk gjuan shumë keq një top nga jashtë zonës, por pasi shkon e përplaset mbi traversë, sfera kthehet në kokën e sulmuesit belg, që fiton dyluftimin me portierin Pickford dhe e dërgon në rrjetë.
Jo pa faj edhe portieri i Evertonit që neglizhoi atë top pa pretendime, ndërsa Liverpool merr 3 pikët dhe shkon në kuotën e 36 pikëve, vetëm dy më pak se Manchester City kryesues.
Top Channel