Xhensila është nga Fushë Kruja dhe aktualisht është e punësuar në biznesin familjar të prindërve, një mobilieri.

Edhe pse ka përfunduar shkëlqyeshëm studimet për diplomaci, ajo synon të hapë një biznes “online” dhe të punojë e pavarur. Po, kjo nuk është aspak e lehtë për të dhe të rinj të tjerë, që duan të punojnë dhe të lënë pas ëndrrën për të emigruar.

“Edhe pse u diplomova si studente ekselente, mbështetjen më të madhe e gjeta në kompaninë e prindërve të mi. Por unë dua diçka timen, ndaj krijova një ide biznesi për të krijuar njëfarë pavarësie nga prindërit. Në këto përpjekje për të realizuar diçka, kam hasur në vështirësi konkrete që lidhen me politikat e qeverisë për të rinjtë. Mbështetja ekonomike, por edhe psikologjike, pasi jam një vajzë e re që kërkon të hyjë në treg dhe kjo nuk është e lehtë”, tha Xhensila Luka.

Nevoja e Xhensilës dhe mjaft të rinjve të tjerë për mbështetje në sipërmarrjet e tyre është e madhe, por politikat e qeverisë mungojnë.

“Unë nuk mund të rrezikoj një shumë të madhe parash për një biznes, pa pasur një mbështetje. Kur nis një biznes ka shumë risqe. Nuk e kam gjetur këtë mbështetje dhe fillimisht doja të largohesha jashtë vendit. Tani po përpiqem, që përmes një dyqani veshjesh ‘online’ të eci përpara. Nuk e kam fare mbështetjen e qeverisë, e tani po mbështetem vetëm te paga ime mujore”, tha Xhensila Luka.

Në kuadër të “Forumit Rajonal për Sipërmarrjen Rinore”, në Durrës janë mbledhur të rinj nga vendet e Ballkanit Perëndimor që po punojnë mbi përmirësimin e politikave të sipërmarrjes dhe punësimit rinor në rajon, në bashkëpunim me përfaqësues të ministrive, bashkive, sindikatave, organizatave të shoqërisë civile dhe agjencive shtetërore të punësimit.

Valmiri nga Kosova është një tjetër i ri, që së bashku me të tjerë po përpiqen të gjejnë rrugë dhe mjete për të ulur papunësinë mes të rinjve në Kosovë dhe rajon.

“Kosova vuan nga papunësia e të rinjve, që është më e larta në rajon. Është 54% niveli i papunësisë së të rinjve, ndërsa platforma do të garantojë mundësi jo vetëm kombëtare, por edhe rajonale. Platforma do të sigurojë informacion edhe nga platformat e tjera publike e private, në Kosovë e rajon, të tregut të punës”, tha Valmir Xhemajli.

“Përtej barrierave” dhe partnerët e saj në rajon synojnë të vënë në lëvizje qeveritë, që politikat mbështetëse të angazhohen konkretisht në kthimin e shpresës për të rinjtë dhe mbështetjen e tyre në idetë e sipërmarrjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA