Organizatorët e quajnë “Bambin”, çmimin më të rëndësishëm mediatik të Gjermanisë. Me këtë nuk janë dakord të gjithë, por një gjë nuk mund t’i mohohet “Bambit”, që këtë vit mbushi 70 vjeç.
Ai është çmimi që jepet me më shumë pompozitet, e që i bën edhe më skeptikët të rrinë 3 orë ulur para televizorit. E siç konstatonte “Der Spiegel Online”, sot “joshja ka të bëjë me kureshtjen, se cilin njeh nga ata që thirren të dalin para kamerës në atë moment”.
Edhe publiku shqiptar kishte së paku një fytyrë të njohur; Dua Lipën. Këngëtarja britanike me prejardhje nga Kosova mori “Kaprollin e Artë” në kategorinë “Muzikë ndërkombëtare”, me komentin… “Sa i bukur!”.
Ajo i ofroi më pas publikut një performancë argëtuese, me një potpuri nga 3 këngët e saj më të famshme: “Be the one”, “New Rules” dhe “IDGAF”.
Dua Lipa është lindur në Londër, në një familje me prejardhje nga Kosova. Interesin për muzikën e nisi që në fëmijëri, falë edhe të atit, Dukagjin Lipa, i cili është një këngëtar i njohur në Kosovë (ODA). Kur Dua ishte 11-vjeçare, familja e saj u kthye në Prishtinë.
Pas 4 vitesh, në vitin 2008, ajo mori sërish rrugën drejt Londrës, këtë radhë e vetme. Dua ishte 15-vjeçare dhe, krahas shkollës, nisi të publikonte në Youtube këngë të njohura të muzikës pop të kënduara prej saj.
Kjo, derisa i trokitën në derë përfaqësuesit e “Warner Bros Records”, kohë prej së cilës karriera e saj do të merrte të përpjetën.
“Dua Lipa, me zërin e saj karakteristik e të thellë u këndon zemrave të thyera dhe xhelozisë”, shkruan juria në argumentimin e saj. “Por shumë shpesh, në këngët e saj melankolike, të cilat ajo i bën vetë, janë gratë që e mbajnë në dorë timonin”.
Dua Lipa, e cila u thirr para kamerës si “princesha e popit”, ishte një nga pikat kulmore të eventit të një nate më parë. Për ta prezantuar, regjia kishte marrë disa pjesë nga intervista që ajo kishte dhënë për ZDF-në me gazetaren dhe shkrimtaren gjermane, me prejardhje gjithashtu nga Kosova, Arta Ramadani.
Një vit më parë, në “Bambi 2017” kishte kënduar këngëtarja tjetër britanike me origjinë shqiptare, Rita Ora. “Bambin” e saj në kategorinë “Muzikë ndërkombëtare”, ajo e kishte marrë qysh në vitin 2015.
Top Channel