“Fiks Fare” solli mbrëmjen e së premtes historinë e familjes Gjomemo nga Saranda. Vajza e kësaj familjeje, Aida tregon se jetesa e tyre është bërë e pamundur nga zhurmat, ndotja dhe temperatura që shkakton një “Fast Food”, që është poshtë apartamentit të tyre.

Aida tregon për Fiksin se ka 3 vite që nuk ka lënë institucion pa trokitur.

“Ku s’kemi trokitur, nuk po gjejmë zgjidhje. E çuam edhe në gjykatë, gjykata vendosi që të eliminohen zhurmat. Ndaj e çoj në Zyrën e Përmbarimit, por edhe ajo na zvarriti”.

Gazetarët e Fiksit shkuan në Zyrën Përmbarimore, ku përmbaruesi Erjon Bejko tha se e kishte bërë ekzekutimin e vendimit të gjykatës . “Vërtet ne bëmë matje edhe të ndotjes, edhe të temperaturës, por objekti i vendimit ishte eliminimi i zhurmave dhe ne e kemi bërë këtë”, u shpreh ai.

Institucioni, që ka pajisur me leje mjedisore të tipit C subjektin “Fast Food”, është Agjencia Rajonale e Mjedisit Vlorë, e cila në përgjigjen që i kthen emisionit “Fiks Fare” thotë se nuk ka kompetenca për të kontrolluar dhe monitoruar subjektet.

“Ne vetëm i pajisim me leje mjedisore, por pastaj nuk kemi më të drejtë kontrolli. Këtë funksion e kryen Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit”, sqaron ARM-ja e Vlorës.

Ndërkohë, Inspektoriati Shtetëror Mjedisor i Sarandës i kthen një përgjigje me shkrim Fiksit, në të cilën arsyeton: Ne e kemi pezulluar njëherë këtë aktivitet dhe subjekti e ka rihapur me vendim gjykate.

Për këtë arsye, qytetarja bashkë me gazetarët e Fiksit iu drejtua Inspektoriatit të Shëndetit Publik për të ribërë matjet, me qëllim që të merren masa mbi subjektin “Fast Food” “Labëria”. Por ISHP-ja nuk pranoi të mbante kërkesës, me arsyetimin se i kanë bërë matjet edhe dy herë të tjera dhe e kanë të palejueshme të bëjnë matje kaq të shpeshta në të njëjtin subjekt.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA