Qeveria e Kosovës nuk ka të dhëna nga ekipi i caktuar për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nëse ia ka dorëzuar Bashkimit Evropian draft-statutin e asaj që përshkruhet si bashkësia e komunave serbe.
Zyrtarisht nuk është konfirmuar asgjë dhe Avni Arifi, shef i ekipit teknik të Kosovës në dialogun me Serbinë thotë se grupi serb i punës, i përbërë nga 4 vetë, nuk ka dorëzuar kurrë draft, vetëm procesverbale takimesh me palët e interesit.
4 gushti ishte afati i fundit kur ekipi në fjalë duhet të kishte dërguar në Bruksel draftin e parë të statutit të Asociacionit dhe fillimisht qe menduar se procedura ishte kryer.
Qeveria e Ramush Haradinajt ka thënë më herët se pret që draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të jetë i bazuar në Kushtetutën e Kosovës.
Nga ana tjetër, ish-zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se dyshon që ekzekutivi qëllimisht nuk po i kërkon grupit të punës që të shtyjë përpara proceset për Asociacionin.
Themelimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është produkt i marrëveshjeve të Brukselit, të arritura në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd. Qeveria kosovare e sheh si organ me kompetenca joekzekutive, ndërsa Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve në Kosovë pretendojnë të kundërtën.
Top Channel