Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, Christian Panucci duket se është i vendosur të zhvillojë sa më parë procesin gjyqësor që ka hapur ndaj ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishani, të cilin e ka paditur për cënim të imazhit dhe personalitetit, duke i kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim.
Madje, kaq e madhe duket kjo dëshirë, sa që avokatët e Panuccit nuk kanë pritur zyrën e Gjendjes Civile që të gjejë adresën e Nishanit, por e kanë gjetur vet përpara dhe ia kanë vënë në dispozicion gjykatës.
Këtë e konfirmon komunikimi që avokatët kanë me gjykatën, ku gjyqtarja e çështjes, Anila Karanxha ka vendosur që t’i rinisë njoftimin për deklaratën e mbrojtjes palës së paditur në bazë të adresës së depozituar nga pala paditëse.
Pra, ndonëse gjykata ia kishte kërkuar zyrës së Gjendjes Civile që të gjente adresën e ish-presdientit të Republikës, avokatët e Panuccit e kanë gjetur më parë këtë adresë duke ia vënë në dispozicion gjykatës brenda 3 ditëve.
Padia civile e trajnerit të kombëtares, Christian Panucci, ndaj ish-presidentit Nishani ka të bëjë me një reagim të ish-kreut të shtetit pas ndeshjes miqësore Kosovë-Shqipëri, ndeshje në të cilën Shqipëria u mund me rezultatin 3-0.
Pas kësaj ndeshje, Nishani reagoi me një deklaratë në rrjetet sociale, ku e ka cilësuar trajnerin Panucci si një sharlatan që shkatërroi edhe atë që ishte ngritur. Për këtë reagim të ish-presdientit, trajneri i kombëtares Panucci kërkon 100 mijë euro në formë dëmshpërblimi, për dëmin moral që i është shkaktuar figurës së tij në publik.
Top Channel