Në qendër të Zubin Potokut Top Story ndaloi për të pyetur disa qytetarë serbë, lidhur me raportet që kanë me kosovarët. Ata nuk ishin agresivë siç përshkruhen në media, nuk i urrenin kosovarët, madje nuk donin as të bashkoheshin me Serbinë. Të jetuarit në një shtet ilegal, ku nuk paguan as drita, as taksa, as dokumente për makinën, janë disa nga privilegjet që mund t’i humbisnin nëse bashkoheshin me Serbinë.
Gazetari: Ne jemi gazetarët nga Top Channel, në Shqipëri. A mund të na thoni se çfarë mendoni për marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë?
Banorja serbe: Jo… nuk kam asgjë për të thënë!
Gazetari: Si mendoni, ku jetoni aktualisht…? Në Kosovë apo Serbi?
Banorja serbe: Jetoj në Jugosllavi, më mirë ka qenë në atë kohë.
Gazetari: Po tani, jeni në Kosovë apo Serbi? Pa merak, nuk po ju filmojmë.
Banorja serbe: Jam shumë e lodhur, ndjesë!
Gazetari: Kemi ardhur të blejmë por dhe t’ju pyesim për diçka, jemi gazetarë nga Shqipëria…
Banori serb: Mirë…
Gazetari: Çfarë mendoni se po bëjnë Thaçi dhe Vuçiçi?
Banori Serb: Çfarë të them. Për politikë nuk ia kam idenë…
Gazetari: Po realisht a jeni mirë këtu? Këtu është Kosova apo Serbia?
Banori Serb: Jemi në Kosovë…
Gazetari: Pra në Kosovë, ju dëshironi të jeni këtu?
Banori Serb: Deri në fund… Deri në Fund të jetës…
Gazetari: A keni frikë nga Shqiptarët?
Banori Serb: Jo, pse të kem frikë…
Përpara kamerës serbët nuk pranonin të flisnin, pasi nuk donin të shfaqnin jetën e tyre ilegale në shtetin e pavarur të Kosovës.
Gazetari: A mund ta bëjmë një intervistë?
Banori Serb: Jo, jo, se unë me politikë nuk merrem. Nuk më intereson as Vuçiç dhe as Thaçi. Këtu hallet duhet ti zgjidhe populli.
Intervistat me serbët e Zubin Potokut, lanë të kuptonin se politika në Beograd kishte ngopur me urrejtje artificiale banorët saj.
Banori serb: Kam punuar në Prishtinë në ndërtimin e rrugëve, me serbë, shqiptarë, kroat, romë, boshnjakë… dhe kurrë s’kemi pasur probleme.
Gazetari: Ka shqiptarë që blejnë tek ju?
Banori Serb: Vijnë patjetër.
Top Channel