Përfaqësuesja kosovare e futbollit do të prezantojë disa risi në listën e re për ndeshjet e këtij muaji. Trajneri zviceran, Bernard Challandes ka preferuar disa ndryshime për përballjet e tetorit, ndaj Maltës dhe Ishujve Faroe.
Krahasuar me grumbullimin paraardhës, tekniku helvet ka përfshirë Ardin Dallkun, vëllain e ish-mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare Armend Dallku, si dhe Valon Berishën e Lirim Kastratin. Këta 3 lojtarë zëvendësojnë Kastriot Dermakun, Bersant Celinën dhe Jetmir Krasniqin.
Dilemën e fundit, Challandes e ka pasur me mbrojtësin Ardin Dallku, por pas angazhimit me Vorskla Poltavën në Europa League, 67-vjeçari ka vendosur ta rikthejë në kampin e përfaqësueses.
Për herë të parë në karrierë është ftuar sulmuesi Lirim Kastrati. 19-vjeçari ka shënuar 6 gola me Lokomotivën e Zagrebit në Kroaci, duke ndarë vendin e parë në listën e golashënuesve me serbin Komnen Andrić. Kastrati do të sjellë te Kosova një tip tjetër lojtari në repartin ofensiv, që mund të jetë efikas ndaj formacioneve ishullore.
Në portë pritet të jetë si gjithmonë titullar Samir Ujkani, ndërsa para tij Rrahmani, Aliti Kololli dhe Vojvoda. Edhe pse ende nuk është zyrtarizuar, dy lojtarë në listë janë nga Kategoria Superiore.
Top Channel