Si do luajë Franca ndaj Italisë? Dilemat e Zinedine Zidane në mesfushë dhe mbrojtje

02/10/2026 11:25

Franca përgatitet të presë Italinë në mbrëmjen e kësaj të premteje në Stade De France në një sfidë që është e vlefshme për Nations League. Është një sfidë kjo që përjetohet në mënyrë speciale nga trajneri Zinedine Zidane i cili përballet sërish me Të Kaltrit pas 20 vitesh, pas finales së Botërorit në Berlin

Por si do të luajë Zizou në këtë ndeshje. Trajneri i ‘Les Bleus’ që e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij të re me 2 fitore në 2 ndeshjet e para, u shfaq shumë i rezervuar në konferencën për shtyp kur u pyet për zgjedhjet e tij përsa i përket formacionit që do të hidhet në fushën e lojës.

Por sipas të përditshmes franceze ‘L’Equipe’ një gjë është e qartë; pasi ndryshoi 9 lojtarë në Bruksel (1-0), krahasuar me formacionin që hodhi në fushë ndaj Turqisë (1-0), trajneri i “Gjelave”, që e ka në dispozicion të gjithë grupin, është i kënaqur me atë që ka parë dhe përsëriti edhe një herë konceptin e një skuadre të vërtetë; pa bërë dallime në titullarë dhe rezerva. Për sfidën me Italinë mësohet se pritet që të kthehen në formacion disa prej titullarëve të zakonshëm sidomos në repartin ofensiv ku mungesa e madhe do të jetë ajo e Kylian Mbappe. Kështu ndaj Të Kaltërve pritet të aktivizohen Dembele dhe Olise nga minuta e parë.

Dyshimet më të mëdha, Zidane i ka në mesfushë dhe në seancën stërvitore të së enjtes trajneri i shkartisi disi kartat në këtë repart dhe jo vetëm teksa provoi Manu Kone si mesfushor qendre. Po kështu pritet që Zinedine Zidane t’i japë një tjetër shans Da Cunhas, të paktën për një pjesë të ndeshjes, ndërsa pikëpyetje ka edhe për repartin e mbrojtjes ku e sigurt është prania e  Dayot Upamecano. Në stërvitjen e një dite më pate, Leny Yoro formoi dyshen e mbrojtjes me lojtarin e Bayern Munichut. Por edhe Jacquet la përshtypje dhe mund të meritojë një tjetër mundësi. Nuk do të ishte aspak surprizë nëse rotacioni në këto dy ndeshjet e ardhshme do të përfshinte edhe portierët. Kështu, mund t’i vijë radha edhe Guillaume Restes.

Formacioni i mundshëm i Francës ndaj Italisë

Maignan; Koundé, Jacquet, Upamecano, Truffert;  Cherki, Da Cunha, Koné; Olise, Dembélé (kapiten), Doué.

Top Channel