Paulo Dybala luajti mbrëmjen e të martës ndeshjen perfekte, përballë zviceranëve të Young Boys-it, në sfidën e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së kampionëve.
Talenti argjentinas i Juventusit nuk e kishte nisur mirë sezonin dhe në përfundim të sfidës, ku shënoi edhe tripletën e parë në Champions, nuk e fshehu kënaqësinë.
“Natyrisht që dëshiroj të luaj gjithmonë, ashtu si çdo lojtar. Vitin e kaluar e nisa me shumë gola, për të rënë më pas, ndërsa këtë herë ndodhi e kundërta. Pankinat e shumta në fillim të sezonit më ndihmuan të punoj më shumë dhe të përmirësohem ndjeshëm”, deklaroi Dybala.
Sulmuesi argjentinas përfundoi në qendër të vëmendjes jo vetëm prej 3 golave, por edhe për faktin se Cristiano Ronaldo ishte i pezulluar dhe e pa takimin nga tribuna.
“Natyrisht që pa Ronaldon nuk është e lehtë, por ne treguam edhe sot, një lojë prej skuadre të madhe. Është e qartë tashmë që duhet të përmirësoj bashkëpunimin tim me Ronaldon, por po punojmë shumë dhe diçka e mirë po duket”, u shpreh argjentinasi i Juventusit.
Top Channel