Teuta e Blendi Shkëmbit është rikthyer të fitojë pas dy humbjeve radhazi, dhe këtë e ka bërë pikërisht ndaj kampionëve në fuqi të Superligës, Skënderbeut të Korçës, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.
Sfida ishte mjaft interesante, teksa momenti që vendosi edhe fatin e takimit ishte në minutën e 42-të, kur Kabba i Skënderbeut shkaktoi 11-metërsh dhe u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadrën me 10 futbollistë.
Penalltinë e ekzekutoi sulmuesi i Teutës, Latif, i cili arriti ta dërgojë topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Aldo Teqja, ndërsa në pjesën e dytë ishte qendërmbrojtësi lezhjan Ditmar Bici, që shënoi golin e dytë dhe të qetësisë për durrsakët.
Me këtë fitore Teuta ngjitet në vendin e gjashtë me tetë pikë, ndërsa Skënderbeu tashmë dorëzon fronin dhe zbret në vendin e tretë me 11 pikë, dy më pak se Kukësi e Partizani kryesues.
Te fitorja arriti të rikthehet edhe Flamurtari i drejtuar nga Ilir Daja, që shkatërroi me rezultatin e thellë 4-0 Kastriotin, në sfidën e fundit të javës së gjashtë, të luajtur në qytetin e Vlorës.
Busiç hapi serinë e golave, ndërsa më pas ishin Torrasa, Batha dhe sërish argjentinasi, ata që kompletuan festivalin e golave për skuadrën vlonjate, e cila pas kësaj fitoreje është ngjitur në vendin e katërt me 10 pikë.
Nga ana tjetër krutanët mbeten në vendin e parafundit të renditjes me vetëm 4 pikë, duke lënë pas vetëm Luftëtarin e Gjirokastrës me 3 pikë.
Top Channel