‘Thashetheme’ në Itali, Versace në shitje për 2 miliardë dollarë

24/09/2018 12:45

Shtëpia e famshme e modës, Versace është në shitje dhe duket se pronarët e rinj të saj do të jenë një grup amerikan.

Zërat flasin për Majkëll Kors apo Tiffany si blerës të mundshëm. Versace është një nga markat e rëndësishme italiane që janë ende të pavarura, sidoqoftë, njoftimi për shitjen, nuk është bërë ende zyrtar dhe thuhet se gjithçka do të formalizohet të martën kur sipas zërave, Donatella Versace ka thirrur në një takim të jashtëzakonshëm punonjësit.

Gjithnjë sipas zërave të pakonfirmuar, do të jetë Michael Kors, stilisti që një vit më parë bleu për rreth 1 miliardë euro markën e këpucëve Jimmy Choo, ai që do të fusë në dorë Versace-n, ndërsa të tjerë flasin për Tiffany, grupin e argjendarive që është në fazë rilancimi dhe që në drejtim të tij ka dy ekspertë italianë, si drejtorin e përgjithshëm Alessandro Bogliolo dhe aksionistin Francesco Trapani.

Për sa i takon çmimit të shitjes, Versace është vlerësuar se vlen më shumë se 2 miliardë dollarë ose mbi 1.7 miliardë euro. Sidoqoftë, asgjë nuk është ende e konfirmuar dhe sipas Corriere Della sera mund të ketë surpriza. Për momentin Versace kontrollohet nga një holding, ku pjesën më të madhe të aksioneve e ka vajza e Donatela Versaces, 50 për qind. 20 për qind janë në duart e vetë Donatelës dhe 30 për qind në duart e dajës, Santo Versace që bashkë me të vëllain stilist, Xhanin të vrarë në Majemi 21 vite më parë, e kishte themeluar kompaninë në 1978

Top Channel