Kur vizitorët futen në muzeun e forcave ajrore të Finlandës, drejtuesit shohin reagimet e tyre të befasuara dhe shpesh ndiejnë se duhet t’u japin shpjegime.
“Shpesh duhet t’u shpjegojmë vizitorëve se svastika jonë s’ka lidhje fare me të nazistëve”, thotë Kai Meklin, Drejtor i muzeut dhe ish-pilot i Forcave Ajrore Finlandeze. “Forcat Ajrore Finlandenze e kanë përdorur svastikën si logo shumë kohë përpara Hitlerit dhe nazistëve”.
Ndonëse svastikat janë hequr tashmë nga avionët, oficerët finlandezë vazhdojnë t’i përdorin pa problem nëpër spaleta e uniforma.
“Për ne, svastika është simbol lirie dhe pavarësie”, shpjegon Meklin, si shumë finlandezë të tjerë.
Por disa të tjerë e shohin praninë e këtij simboli shumë problematik, sidomos tani që e djathta ekstreme në Finlandë sa vjen e ashpërsohet.
Finlandezët e kanë përdorur svastikën për herë të parë në vitin 1918, kur konti suedez Erik Fon Rosen leu krahët e një avioni me atë simbol, dhe ia dhuroi Ushtrisë së Bardhë Finlandeze, e cila në atë kohë po luftonte për pavarësi kunëdr Gardës së Kuqe, të mbështetur nga sovjetikët.
Ushtria e Bardhë e fitoi këtë betejë, dhe kështu svastika u bë simbol zyrtar i Forcave Ajrore të Finlandës, dhe vazhdoi të mbetet zyrtar edhe pasi Finlanda u bashkua me aleatët e tjerë, mes tyre SHBA-të, për të firmosur armëpushimin pasi mposhtën nazizmin.
Si pasojë, svastika gjendet sot edhe në shumë monumente lufte të vendosura nëpër vend. Megjithatë, Teivo Teivanian, një profesor në Universitetin e Helsinkit, thotë se ka ardhur koha që kjo gjë të ndryshojë.
Teivainen thotë që në radhë të parë, svastika do të krijonte vështirësi për Finlandën nëse ajo, si anëtare e NATO-s, i bashkohet vendeve të tjera në ndonjë luftë jashtë vendit. “Si do të ndiheshin njerëzit në Gjermani, Francë apo Holandë kur të shihnin një simbol që për ata ka vetëm një kuptim?”, pyet ai.
Diskutimet se ku dhe kur është normale të shfaqen svastikat në publik janë shtuar sidomos pas ngritjes së të djathtës ekstreme në Finlandë. Të vënë në pozitë të vështirë për shkak të ashtu-quajturës “Lëvizja e Rezistencës Finlandeze”, qeveria është përballur me kërkesa për ta kufizuar simbolin në të ardhmen.
Edhe pse të djathtët nuk e kanë përdorur atë simbol nëpër mitingjet e mbajtura deri tani, rreziku që të shfaqet është real.
Historiani finlandez Carl-Fredrik Geust shrkuan se shqetësimet të tilla janë në fakt ekzagjerime, pasi përdorimi i kufizuar i svastikave finlandeze është tashmë vetëm për ceremoni përkujtimore e tradita të tjera.
Ai gjithashtu shton se svastika është përdorur për dekorim që në lashtësi, dhe shumë vende perëndimore e kanë përdorur si simbol fatsjellës deri në fillim të shekullit të njëzetë. Dhe po për arsye fati, finlandezët e vizatuan fillimisht në avionë.
Zëdhënësi i Minsitrisë së Mbrojtjes në Finlandë, Kristian Vakkuri, ka thënë se se tani për tani nuk kanë ndonjë plan për ta hequr simbolin. E njëjta gjë duket se vlen dhe për shumicën e finlandezëve.
Edi Hokings, një gazetar amerikan që e ka studiuar çështjen në fjalë, thotë se svastika perceptohet ndryshe në Finlandë, pasi ka një tjetër histori e tjetër kuptim. Megjithatë, ai pranon se shumica e njerëzve nuk e mendojnë aq thellë, ndaj diskutimet janë të pritshme.
Top Channel