Një nga gratë e para që denoncoi Jeffrey Epstein, gjendet në një burg në Florida modelja italiane
Spanja ka pranuar më shumë se 40 për qind të emigrantëve të paligjshëm, që kanë tentuar të kalojnë Mesdheun për të hyrë në Europë këtë vit.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Emigracionin (IOM) raporton se, numri thuajse është trefishuar krahasuar me shifrat e një viti më parë.
Spanja kryeson tashmë listën e destinacioneve, duke pritur 23.741 emigrantë deri në fund të korrikut, ndërsa shifra e një viti më parë ishte 8.677.
Muajin e kaluar, “IOM” tha në fakt se Spanja ia kishte kaluar edhe Italisë, si destinacion kryesor i emigrantëve të paligjshëm, e shifra më e fundit konfirmon se kjo tendencë ka vijuar.
“Të ardhurit në Itali kanë shënuar rënie me mbi 80 për qind krahasuar me vitin 2017”, njofton “IOM”. Sidoqoftë, numri i personave që kanë hyrë në Greqi është rritur thuajse 50 për qind, me afro 5.000 të ardhur më shumë sesa totali i vitit të kaluar.
Pavarësisht kësaj, shifrat e “IOM”-së flasin për një rënie të ndjeshme të numrit të emigrantëve dhe refugjatëve që hyjnë në Europë nga deti. Plot 59.271 kanë hyrë në Europë sipas “IOM”-së deri më 5 gusht, ndërkohë që shifra për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 117 mijë.
Komisioni Europian ka akorduar ndërkohë 30 milionë euro ndihmë për Spanjën, për të përballuar rritjen e fluksit të refugjatëve. Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, rritja e numrit të emigrantëve nga Afrika nënsahariane në Spanjë vjen si pasojë e vështirësisë së shtuar për të depërtuar më thellë në Europë.
Top Channel