Hetimi për Rusinë dhe pyetjet e Prokurorit për Trump

08/08/2018 23:03

Edhe pse kanë kaluar 15 muaj pasi prokurori i posaçëm Robert Mueller u caktua të kryesonte hetimin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, avokatët e presidentit Donald Trump ende po negociojnë se çfarë pyetjesh janë të lejuar t’i bëjnë hetuesit presidentit.

Njoftimet e agjencive të lajmeve citonin të mërkurën avokatët e presidentit që thonë se po përpiqen të ngushtojnë hapësirën e pyetjeve të prokurorit Mueller, duke mos pranuar që presidenti t’u përgjigjet atyre pyetjeve që kanë të bëjnë me një pengim të mundshëm të drejtësisë.

Në një intervistë me rrjetin CNN, Rudy Giuliani, një nga avokatët e zotit Trump, tha se ekipi po i dërgonte një letër të re zotit Mueller me një kundërofertë. Giuliani nuk pranoi të jepte hollësi.

Gazeta Uashington Post njofton se Giuliani, ish-kryebashkiak i Nju Jorkut i cili u bashkua me ekipin ligjor të zotit Trump në prill të këtij viti, tha se në letër do të refuzohet një intervistë që do të përfshinte pyetje rreth pengimit të mundshëm të drejtësisë, veçanërisht në lidhje me shkarkimin e ish Drejtorit të FBI-së James Comey.

Zoti Mueller ka kërkuar ta marrë në pyetje presidentin prej shumë muajsh. Presidenti Trump i ka kërkuar vazhdimisht ekipit të tij ligjor që ta lejojë të intervistohet, duke besuar se kjo do t’i japë mundësi për të pastruar emrin e tij. Avokatët e zotit Trump e kanë këshilluar atë për të kundërtën tij, duke përmendur frikën e një “kurthi” ligjor.

Në maj të vitit 2017, Presidenti Trump shkarkoi kreun e FBI-së Comey, i cili në atë kohë drejtonte hetimin për Rusinë. Një ditë pas shkarkimit, zoti Trump tha se kishte Rusinë në mendje kur mori këtë vendim./VOA

Top Channel