Si shumë të tjerë në rrjetet shoqërore, “Lil Miquela” poston foto me rroba të stilistëve të famshëm, të shoqëruara nga tituj të menduar me kujdes. Ajo vesh rroba nga kompani serioze si Proenza Schouler, Coach dhe Balenciaga, dhe rekomandon produkte flokësh nga Ouai që “t’i rrinë flokët të butë si mëndafsh”.

Mikela ka 1 milion ndjekës në Instagram, shumica prej të cilëve “milenialë” (të lindur pas vitit 1980) ose “brezi zero” (të lindur pas vitit 1990).

Mikela mbështet haptazi çështje shoqërore si manifestimet në mbrojtje të zezakëve të keqtrajtuar nga policia, “Black Lives Matters”, dhe ka bashkëpunuar me kompani si Prada për “Javën e Modës në Milano”. Madje, ka publikuar edhe disa këngë në Spotify.

Modelja 19-vjeçare nga Kalifornia e ka hapur llogarinë në vitin 2016 dhe ka marrë shumë famë në rrjetet shoqërore, me flokët e saj të zeza, shpesh të kapur me dy “topuza”. Ajo ka sy kaf, quka, dhe shkruan te profili se shkon në festivale muzikore si Coachella.

Por në prill ajo bëri një rrëfim: “Unë nuk jam qenie njerëzore”, shkroi në Instagram, “Jam robot.”

Mikela është një “CGI” (Imazh i Krijuar me Kompjuter), që është “sjellë në jetë” nga një kompani në Los Anxhelos, e quajtur Brud. Ata janë të specializuar për inteligjencë artificiale dhe robotikë. Brud ka mbështetje nga firma që merren me investime kapitalesh, si “Sequoia Capital”, “BoxGroup” dhe “SV Angel”. Sequoia Capital refuzoi të komentojë nëse kanë lidhje me Brud. BoxGroup dhe SV Angel nuk iu përgjigjën kërkesës për komente.

Mikela është pjesë e një grupi influencuesish jo-realë në rrjete shoqërore, si Bermuda, Blawko dhe Shudu, e cila njihet si supermodelja e parë dixhitale. Ashtu si Mikela, edhe Blawko është krijesë e Brud. Thuhet se po e njëjta kompani ka krijuar edhe Bermudën. Një fotograf mode, i quajtur Cameron-James Wilson, ka krijuar edhe Shudu-n, që ka më shumë se 120,000 ndjekës.

Si influencuesit e tjerë në instagram, edhe modelet e krijuara nga kompjuteri promovojnë produkte markash. Por nuk është ende e qartë nëse ka marrë pagesa nga disa prej sponsorëve. Brud refuzoi të përgjigjet, por dihet që që faqja “Highsnobiety” ka bashkëpunuar me Mikelën për shitjen e një bluze që kushton rreth 80 dollarë. Sipas zëdhënësit të markës, Mikela merr një pjesë të fitimeve nëse produkti shitet në faqen e tyre të internetit, por jo nga faqja e Highsnobiety.

Koncepti i reklamimit me influencues të kompjuterizuar ngre shumë pyetje: “Si mund të reklamojnë produkte që nuk i veshin dot? A nuk duhet të jenë më transparente kompanitë kur krijojnë apo përdorin influencues virtualë?”

Olivier Tobuia, një profesor marketingu te Shkolla e Biznesit Kolumbia, thotë se personazhet e kompjuterizuar duhet të kenë një marrëdhënie transparence me ndjekësit për sa i përket sponsorizimeve, dhe duhet të jetë e qartë se kush është i vërtetë e kush jo.

Xhenifer Grygiel, një profesore për rrjete shoqërore të Universiteti i Sirakuzës, është dakord. “Nuk është gjithnjë e qartë që është personazh i kompjuterizuar. Dhe kjo është tepër problematike. Kur unë isha e vogël, të paktën e dija që Barbi ishte kukull. Por këto dy vitet e fundit ka pasur shumë njerëz, sidomos adoleshentë, që e dinin Mikelën person të vërtetë. Markat duhet të thonë të vërtetën dhe kompanitë duhet të ndihmojnë, të mos bëhen pjesë e dikujt që mund të gënjejë masat”.

Por ka të tjerë që thonë se kjo transparencë s’ka pse të jetë e domosdoshme. Ata këmbëngulin që është mëse e qartë që këta nuk janë njerëz të vërtetë, por të përpunuar nga dikush me programe kompjuterike.

“Çfarë shihni në Instagram që të jetë autentike?”, tha Jun Ahn, dizenjues me markën Ambush, e cila ka punuar me Mikelën, por pa pagesë. “Sa modele Instagrami kanë bërë operacione plastike dhe vazhdojnë të shesin produkte? A nuk është e njëjta gjë? As ata s’janë të vërtetë. Flokët e tyre nuk i kanë bërë produktet që shesin. Buzët s’ua kanë bërë ato produktet që shesin”, shton ajo.

Rajan Detert, Drejtori i “Influential”, një platformë marketingu nëpërmjet inteligjencës artificiale, e sheh si një çështje autenticiteti, sesa etike. “Manekinët kanë të paktën 100 vite që ekzistojnë, dhe mbahen në dyqane për të shitur bukurinë, për të shitur ideale. Nuk ndryshon shumë nga kjo”, tha ai.

Një nga arsyet që kompanitë po nisin t’i pëlqejnë modelet e kompjuterizuara, është se nuk kanë probleme për ruajtjen e imazhit, siç mund të kenë persona të famshëm. “Nëse ekipi e modelon shpejt diçka, mund ta postojnë pa problem, në kohën e duhur dhe në këndin e duhur”, thotë ai.

“Modelet e kompjuterizuara s’mund të bëjnë gjëra që t’u hapin telashe markave që punojnë me to, si për shembull të jenë përfshirë në ndonjë krim apo të thonë gjëra të pahijshme në publik.”, shton Detert, “dhe, përveç kësaj, tregon që kompanitë janë kreative për sa i përket teknologjisë.”

Tajler Henej, drejtoreshë e Outdoor Voices, tha që i pëlqen të eksperimentojë me mënyrën se si ia paraqet markën publikut. Mikela postoi foto të saja, duke veshur një fustan sportiv nga Outdoor Voices.

Haney e kishte ndjekur Mikelën në Instagram dhe në fillim nuk e dinte që ishte imazh i kompjuterizuar. Më vonë u lidh me Brud, nëpërmjet një investori, dhe kishte kërkuar të bashkëpunonin.

“Gjithnjë kërkojmë mënyra për ta bërë teknologjinë më interesante e më krijuese, duke angazhuar kështu edhe klientët”, tha Haney. “Më pëlqen të gjej mënyra të reja për të reklamuar produktin.”

Ka dhe marka të tjera, si Barneys, që nuk e kanë problem faktin që Mikela nuk është e vërtetë.

Ekspertët, mendojnë se në të ardhmen do të shohin më shumë modele të kompjuterizuara, dhe një ditë mund të jetë i vështirë dallimi midis njerëzve dhe inteligjencës artificiale.

Markat i përdorin personazhet e famshëm të rrjeteve shoqërore për t’u lidhur me publikun në një mënyrë më autentike se reklamimi tradicional.

“Një nga përfitimet është besimi. Njerëzit kanë besim kur diçka u rekomandohet nga njerëz që i besojnë”, thotë Toubia nga “Columbia”.

Në SHBA, Komisioni Federal i Tregtisë ka rregulla të përcaktuara për yjet e rrjeteve shoqërore që reklamojnë produkte. Por këto rregulla duhet të vlejnë edhe për modelet e kompjuterizuara, siç thotë zëdhënësi i agjencisë për CNN Money. Markat mund të gjobiten nëse nuk ndiqen rregullat.

Lisa Fischer, CNN Money

FOTO GALERI
2/43
Ashtu si Mikela, edhe Blawko është krijesë e Brud. Thuhet se po e njëjta kompani ka krijuar edhe Bermudën. Një fotograf mode, i quajtur Cameron-James Wilson, ka krijuar edhe Shudu-n, që ka më shumë se 120,000 ndjekës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA