Gigi Buffon nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën te Paris Saint Germain.
Portieri veteran pësoi tre gola në sfidën ndaj Arsenalit dhe në njërin prej tyre ishte absolutisht fajtor.
Menjëherë pas ndeshjes miqësore, trajneri i PSG, Thomas Tuchel hodhi dyshime mbi faktin se Buffon do të luajë titullar. Ai tha se vendimi nuk është marrë akoma.
“Konkurrenca për këtë rol është shumë e fortë, por do të vendos shumë shpejt se cili do të jetë titullari. Do ta bëj kur të tre portierët që kam në dispozicion të jenë 100% në formë”, u shpreh trajneri gjerman.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Gigi Buffon, i cili theksoi se e mirëpret sfidën dhe se do të punojë maksimalisht për të merituar fanellën e titullarit të skuadrës franceze.
“Në 24 vite askush nuk më ka dhuruar asgjë. Kam qenë gjithmonë titullar sepse kam punuar shumë dhe sepse e kam merituar. Erdha te PSG i bindur se kam ende mundësi të meritoj fanellën e titullarit”, deklaroi Buffon.
Top Channel