Giancarlo Ciccozzi nuk është një emër i panjohur në artet pamore në Itali, artin e së cilit e ka vlerësuar edhe një ndër kritikët më të mëdhenj italiane Vittorio Sgarbi. Por ai vjen në Tiranë të ekspozojë për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar 110 kuadrot e tij.
“Këto 2 kuadro janë zgjedhur nga një kritik i njohur ndërkombëtar: Vittorio Sgarbi. Ai i bëri pjesë të koleksionit të tij “Casa Cavalini Sgarbi” dhe i ka arkivuar në koleksionin e tij. Është një personazh që e viziton shpesh Shqipërinë, pasi ka edhe vajzën që banon këtu”, thotë piktori Ciccozzi.
Giancarlo lëvron abstraksionin në mënyrën e tij origjinale përmes copave të gjetura nga divane apo senduqeve të gjysheve në Itali.
“Abstraksioni në Europë ka lindur në vitet ‘40-’50, pas luftës, kur artistët zgjodhën të shprehin emocionet e tyre përmes një gjuhe abstrakte, të vështirë për tu kuptuar. Kemi një shembull këtu: kjo është një kuadro e bërë nga materiale antike të përdorura si stofi apo druri. Përpiqem të nxjerr ngjyrën nga materialet dhe jo t’ia jap atë përmes penelit. Djegia në zjarr dhe teknikat e tjera me acid, të bëra bashkë, japin efektin e tokës së djegur”, rrëfen piktori.
Pas Tiranës ekspozita e artistit italian udhëton për pushuesit drejt Vlorës, ku do të presë vizitorë gjatë gjithë muajit korrik.
Top Channel