Pas krizës, shesim energjinë/42 milionë euro vetëm për katër muajt e parë të vitit

25/05/2018 15:20

Shqipëria përfitoi 42 milionë euro nga eksporti i energjisë elektrike vetëm në katër muajt e parë të vitit. Pas krizës së thellë, që kaloi vitin e kaluar, sektori energjetik po përjeton një moment pozitiv falë reshjeve të shumta dhe situatës së mirë hidrike.

Instituti i statistikave raportoi se për tremujorin e parë, Shqipëria prodhoi dy herë më shumë energji krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas INSTAT, për periudhën janar mars të këtij viti, prodhimi vendas i energjisë arriti 3.2 miliardë kilovat orë nga 1.6 miliardë kilovat që ishte në tremujorin e parë të 2017-ës.

Pjesa më e madhe e prodhimit të energjisë vazhdon të vijë nga hidrocentralet publike, të cilat zotërohen nga Korporata eleketroenergjetike shqiptare. Por edhe energjia e prodhuar nga privatët është rritur me ritme të ndjeshme duke zënë në tremujorin e parë 35 për qind të totalit.

Sektori energjetik u trondit vitin e kaluar, për shkak të shpenzimeve të larta për import energjie nga jashtë. Qeveria u detyrua të japë 50 milionë euro nga buxheti i shtetit për të siguruar furnizimin e vendit me energji.

Por këtë vit situata ka ndryshuar tërësisht. Vec mbulimit plotësisht të konsumit vendas, KESH ka vazhduar eksportet masive edhe gjatë këtij muaji duke arkëtuar më shumë të ardhura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA