Prokurorët gjermanë kanë nisur këtë të martë aplikimin për ekstradimin e ish-udhëheqësit katalanas, Carles Puigdemont, në Spanjë, pas akuzave që lidhen me rolin e tij në fushatën për mëvetësimin e rajonit.
Gjykata e Lartë rajonale e shtetit verior Schleswig-Holstein duhet ende të vendosë mbi ekstradimin e tij, por prej saj është njoftuar se nuk ekziston asnjë arsye për ta arrestuar atë gjatë kësaj procedure.
Katalonja mbajti një referendum mëvetësie më 1 tetor dhe më pas deklaroi pavarësinë, por Madridi bllokoi çdo përpjekje ndarjeje në gjykata, duke u mbështetur fort pas Kushtetutës spanjolle, e cila thekson se Spanja është e pandashme.
Spanja shkarkoi qeverinë rajonale pas deklaratës së pavarësisë. Puigdemont, i cili u largua nga Spanja për në Belgjikë pas shkarkimit, u arrestua në mars të këtij viti pas një urdhërarresti ndërkombëtar spanjoll, teksa kishte hyrë në Gjermani.
Muajin e kaluar, gjykata refuzoi kërkesën për ekstradimin e Puigdemontit, me akuzën e rebelimit për shkak të rolit të tij në fushatën për mëvetësimin e rajonit. Gjithsesi, ajo pranoi ta linte të lirë me kusht, teksa shtoi se ekstradimi në Spanjë ishte ende i mundshëm, por për akuza më të lehta si ajo e shpërdorimit të fondeve publike.
Prokurorët e sfiduan vendimin e gjykatës, duke thënë këtë të martë se ekstradimi bazuar në akuzat për rebelim ishte i justifikueshëm, sepse kanë informacione të reja nga autoritetet spanjolle, siç janë videot e dhunës ndaj policisë.
“Trazirat ishin të një shkalle të tillë, sa që prokurorët mendojnë se ai duhet të ekstradohet për akuzën e rebelimit”, thuhet në një deklaratë të hetuesve. “Për momentin, prokurorët po përgatiten të deklarohen se ekstradimi i të akuzuarit është i lejueshëm”, shkruajnë më tej ata.
Hetuesit kërkuan edhe arrestimin e Puigdemontit dhe mbajtjen e tij në paraburgim përpara shqyrtimit të çështjes së ekstradimit. Por, deri më tani, as gjykata nuk e ka të qartë se kur do të mund të merret një vendim mbi ekstradimin apo jo.
Top Channel