Dy partitë populiste të Italisë, të cilat fituan të drejtën që të negociojnë për qeverinë e ardhshme, duan të kthehen në kohën para Traktatit të Mastrihtit, përpara se të vendosej monedha e përbashkët europiane.

5 Yjet dhe e djathta ekstreme “Lega” kanë premtuar të shkëputen nga eurozona, por tashmë janë të përfshirë në debate të ashpra për mënyrën se si do të ndodhë ndarja e koalicionit.

Huffington Post Italy botoi këtë të Martë një version të marrëveshjes paraprake mes tyre, ku shkruhej se dy partitë do të kërkonin procedura teknike për t’u larguar nga Eurozona e për t’iu rikthyer sovranitetit monetar.

5 Yjet dhe Lega u përgjigjën duke thënë që teksti ishte i vjetër dhe që e kishin përditësuar duke i hequr masat që kërkonin largimin e Italisë nga Euroja.

Por të Mërkurën partitë botuan një deklaratë të re që shpaloste qëndrimin e tyre të përbashkët në lidhje me Eurozonën, si dhe dëshirën për t’u kthyer në kohët e Liretës italiane, në vitet 1980 dhe 1990.

“Struktura e tanishme e qeverisjes ekonomike të Europës, e bazuar në mbizotërimin e tregut, dhe respekti për rregullat e rrepta që janë të pabaza nga pikëpamja shoqërore dhe ekonomike, sjellin nevojën për ta rishikuar këtë strukturë me partnerët europianë”, thonë ata.

“Fryma e përbashkët është që të rikthehemi në kohën para Traktatit të Mastrihtit, kur vendet europiane kishin qëllime të sinqerta për paqe, vëllazëri, bashkëpunim dhe solidaritet”, shtojnë ata.

Traktati i Mastrihtit, që u nënshkrua në vitin 1992 dhe hyri në fuqi në vitin 1993, parashtroi strukturën e përdorimit të Euros dhe vendosjen e standardeve të përbashkëta për politikat ekonomike, që nga rregullat fiskale e deri te njësimi i monedhës së përbashkët.

Menjëherë pas kësaj deklarate, investuesit nisën të nxjerrin në shitje asetet e tyre në Itali, duke ndikuar çmimin e bonove qeveritare, ndërkohë që aksionet e bursës së Milanos ranë përkundrejt bursave europiane.

Vlera për bonot shtetërore të thesarit me afat 10 vjeçar u rritën me 6 pikë, gati në 2%. FTSE Mib, tregu italian i bursës, ra me 0.4%. Hendeku midis bonove italiane dhe ato gjermane, me afat 10 vjeçar, u zgjerua në 137.35 pikë, nga 129 që ishte të Martën.

Në deklaratën që nxorën të Mërkurën, 5 Yjet dhe Lega Nord nuk iu adresuan pikave të tjera të tekstit, të cilat gjithashtu mund të ngrinin alarme midis investuesve dhe aktorëve ekonomikë.

Mes tyre ishte një kërkesë ndaj Bankës Qendrore Europiane për të fshirë një borxh 250 miliardë dollarësh që Italia duhet të paguajë për programin e blerjes së bonove, (i quajtur lehtësim sasior), një propozim që mund të bjerë ndesh me një traktat europian që ndalon financimin monetar të vendeve. Banka Qendrore Europiane ka refuzuar të komentojë.

5 Yjet dhe Lega thanë se kjo politikë do ta ulte borxhin publik të Italisë me 10% të PBB, që tani është në nivelin 130%, një nga vlerat më të larta në gjithë Eurozonën.

Marrëdhënia e re e Italisë me Europën ka qenë qendra e vëmendjes së marrëveshjeve midis Luigi Di Maios, kryetarit të 5 Yjeve, dhe Mateo Salvinit, nga Lega.

Edhe pse bisedimet bënë hapa pas të Hënën, kur të dy palët nuk arritën të bien dakord për emërimin e kryeministrit, Di Maio dhe Salvini ishin optimistë pas bisedimeve të së Martës.

Disa nga propozimet e tjera të marrëveshjes së të Hënës përfshinin:

  1. Rishikim të kontributit italian në buxhetin e BE-së
  2. Ndarje e veprimtarive tradicionale të huadhënies nga spekulimet financiare.
  3. Mbrojtje të bizneseve të vogla nga liberalizimi i orëve të punës, nga zgjerimi i shpejtë i bizneseve të mëdha, si dhe zbatimi i Direktivave Bolkestein të BE-së për liberalizimin e tregut të lirë.

Për sa i përket politikave të ekonomisë së brendshme, dokumenti pohon se do të rritet ndihma shoqërore për italianët e varfër si dhe do të ulen disa taksa.

Një tjetër plan është të zhbëhet reforma e pensionit e vitit 2011, një masë me kosto të lartë, që mund të ngrejë shqetësime për financat publike.

Në politikën e jashtme, si 5 Yjet ashtu edhe Lega, janë anuar vazhdimisht përkrah Kremlinit. Ata kanë bërë thirrje që të hiqen të gjitha sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

“Ne konfirmojmë aleancën tonë me NATO-n, me SHBA-të, të cilët i shohim si aleatë të privilegjuar. Konfirmojmë edhe hapjen me Rusinë, e cila nuk duhet të shihet si kërcënim, por si partner tregtar dhe ekonomik”, thotë teksti.

Një nga veçoritë e marrëveshjes paraprake ishte ngritja e një komiteti pajtimi, i përbërë nga dy udhëheqësit e partive dhe nga kryeministri i ardhshëm.

Komiteti do të merrej me zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull, si dhe të diskutojë se si duhet të përgjigjet qeveria ndaj situatave të paparashikuara që mund të shfaqen.

James Politi, Financial Times, Romë

FOTO GALERI
3/4
Të dy udhëheqësit kanë rënë dakord që të marrin masa fiskale për të mbrojtur bizneset e vogla italiane nga kompanitë e mëdha, duke ulur taksat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA