Në bisedën e zhvilluar me kryeministrin bullgar, Boyko Borissov, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përcolli mesazhe pajtimi.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi sqaroi se ia ka bërë të ditur Borissovit, që Kosova është e gatshme ta mbyllë kapitullin e konfliktit me Serbinë.

“Vetëm pak ditë përpara mbajtjes së Samitit të përbashkët historik të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Sofje, zhvillova përsëri një bisedë miqësore telefonike me mikpritësin e këtij takimi, vendi i të cilit kryeson Presidencën e Bashkimit Europian”, shkruan ai.

“Me Borissovin, – shton Thaçi, – diskutuam rëndësinë dhe mundësinë e madhe që ofron Samiti për të qartësuar rrugën europiane të Kosovës dhe të të gjitha shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor”.

Kushti kryesor për anëtarësim në BE, veç plotësimit të kritereve të Kopenhagenit, është sigurisht mbyllja e çështjeve të hapura ndërmjet të gjitha shteteve në rajonin tonë, të cilat janë të përcaktuara për aderim në bllokun europian.

“Brenda këtij konteksti, – theksohet në mesazh, – për Kosovën dhe Serbinë mbetet jetike arritja e marrëveshjes detyruese ligjore për normalizim të marrëdhënieve dhe pajtim”.

“Unë e sigurova mikun tim Boyko se, ne në Kosovë jemi të gatshëm që me Serbinë ta mbyllim kapitullin e konflikteve dhe të hapim atë të paqes”, pohon Thaçi, duke shtuar se këtë frymë paqeje dhe bashkëpunimi ka ndërmend të përcjellë në emër të kosovarëve edhe në Samitin e Sofjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA