Humbja e finales së Kupës së Italisë dhe për më tepër pësimi i 4 golave, ka lënë mjaft të zhgënjyer trajnerin e Milanin, Genaro Gattuso. Ai pranoi dështimin, por theksoi se rezultatin nuk shpreh plotësisht atë që ndodhi në fushën e lojës.
“Është një humbje e rëndë, që të lë të zhgënjyer. Rezultati nuk respekton paraqitjen tonë, por kur bën gabime të tilla, paguan. Gjithsesi është një humbje që duhet pranuar dhe tashmë duhet të shikojmë përpara”, deklaroi Gattuso.
Trajneri i kuqezinjve është i mendimit se skuadrën e penalizoi mungesa e eksperiencës, ndërsa i doli në mbrojtje edhe Donnarummës, që gaboi në dy nga 4 golat e bardhezinjve.
“Mendoj se për 60-65 minuta ishim në lojë dhe po bënim atë që duhej, por më pas mungesa e eksperiencës na penalizoi dhe nuk menaxhuam si duhet pësimin e golit të parë. Donnarumma gaboi, por nuk është ai fajtori i humbjes së Milanit sot. Kush bën sport e di mirë se fitohet si skuadër, por edhe humbet si skuadër, ndaj asnjëherë nuk gjendet fajtori te një lojtar i vetëm. Uroj që Gigio të mbetet me ne edhe në sezonin e ardhshëm, por në fund është klubi ai që merr vendimet. unë jam gati të punoj me lojtarët që do të kem në dispozicion”, u shpreh trajneri i Milanit.
Top Channel