Andres Iniesta njoftoi të premten në një konferencë për shtyp se ky do të jetë sezoni i tij i fundit me Barcelonën, duke vërtetuar zërat që kishin disa javë që qarkullonin për largimin e tij.
Me lot në sy gjatë të gjithë prononcimit të tij, mesfushori spanjoll tha se është i lumtur që ka kaluar të gjithë karrierën në elitë, me një skuadër si Barcelona.
“Ndihem krenar dhe i qetë, pasi objektivi im i vetëm ishte të triumfoja në këtë klub dhe ia kam arritur. I kam dhënë gjithçka klubit, si futbollist dhe si njeri”, deklaroi Iniesta.
Në 30 qershor, mesfushori do të jetë zyrtarisht një futbollist i lirë. Ajo që nuk dihet akoma është skuadra me të cilën do të luajë nga 30 qershori e më tej, por mendohet se do të nënshkruajë një kontratë 3-vjeçare me një klub kinez. Në kampionatin kinez, ndërkohë që do të luajë, do të krijojë edhe kampe futbolli për fëmijë.
Vetë Iniesta nuk i konfirmoi këto zëra, duke thënë vetëm se, përveçse në Europë, mund të luajë kudo tjetër. “E përjashtoj Europën pasi nuk dua të përballem me Barcelonën”, theksoi Iniesta.
Top Channel