Bota është çmendur. Militantët kanë dalë të protestojnë, si nga e majta, si nga e djathta.

Zërat që u thërrasin arsyes janë lënë mënjanë e nuk i dëgjon njeri. Kjo është pamja që ofrojnë “të moderuarit” apo “politikanët e qendrës” në botën politike dhe atë të opinionistëve. Pak reflektim ka për faktin se modeli ekonomik që mbronin aq shumë tashmë ka krijuar ankthe dhe zhgënjime mes popullsisë.

Në vend që të debatojnë ide dhe politika, mahniten pas personave që hiqen si karizmatikë e që bëjnë si shpëtimtarë. David Miliband (laburist) është si princi i përjetshëm “që ecën përmbi ujë”. Por ikona ndërkombëtare e Francës, Emanuel Makron, jep një mësim të mirë rreth asaj që nënkupton “politika e qendrës” kur vihet në zbatim.

Makroni është më popullor nëpër botë se sa në Francë, ku pakënaqësia për punën e tij ka arritur 58% në më pak se një vit pas zgjedhjeve. Për fitoren ai i detyrohet më shumë fatit se sa filozofisë politike që ofroi. Në raundin e parë të zgjedhjeve ai mori më pak se një të katërtën e votave dhe nuk kishte ndonjë diferencë të madhe nga kandidatët e tjerë, as nga ata të të djathtës ekstreme, si Le Pen; apo të të majtës ekstreme, si Melenchon. Fitorja në raundin e dytë ishte sepse i përkrahu më pak dhe i refuzoi më shumë idetë e fashizmit.

Skepticizmi i rritur i francezëve ndaj Makronit krijon kontrast me faktin që atij i mungon aftësia për të dyshuar te vetja. Refuzonte të pyetej nga gazetarët sepse “procesi i komplikuar i mendimeve të tij” nuk përshtatej mirë në rrethana të tilla. Denoncimet që u bën kundërshtarëve nuk është se ndryshojnë shumë nga mesazhet e Trump-it në Twitter. “Janë parazitë”, “s’janë për asgjë”, ka thënë. Ndërsa për punëtorët që protestojnë për humbjen e vendeve të punës ka thënë se “në vend që të bëjnë rrëmuja, duhet të shkojnë të kërkojnë punë diku tjetër”. Makroni është një version i varfër i Margaret Theçerit, që synon ta shpërndajë pasurinë mes të pasurve ndërkohë që sulmon të drejtat e punëtorëve dhe modelin social që Franca e ka fituar me aq shumë mund. Me ndryshimet që ka bërë në sistemin e taksave u ka dhuruar më shumë se gjysmë milioni atyre që kanë shtëpitë më të shtrenjta. Pas masave që solli Makroni, 1%-shi i më të pasurve arriti të ketë 44% të pasurisë totale.

Punëtorët e hekurudhave dhe studentët në Nantë protestojnë kundër reformave në taksa. Foto: Damien Meyer/AFP/Getty Images

Për ata që janë më pak të pasur, historia ndryshon. Makron, një ish bankier investimesh, ka ulur shpërndarjen e shtëpive sociale për të pamundurit dhe ka rritur taksat për pensionistët . Politikat e tij e kanë ndryshuar ekuilibrat e pushtetit midis punëtorëve  dhe pronarëve, në favor të këtyre të fundit. Studentët francezë po organizojnë protesta kundër pranimeve gjithnjë e më selektive në universitete, gjë që e shohin si sulm ndaj arsimit falas dhe ndaj modelit social të Francës.

Një tjetër shtyllë kryesore e axhendës së tij është privatizimi i pasurive publike, plan që do të prekë që nga aeroportet e Francës e deri te burimet energjetike. Përballja që pati me punëtorët e hekurudhave është parë si përpjekje për të sjellë një privatizim katastrofik të industrisë hekurudhore, i ngjashëm me atë britanik. Rregullimet e mandatuara nga BE do të bëjnë shumë shpejt që kompanitë e huaja të konkurrojnë me kompaninë shtetërore të hekurudhave, të cilat Makroni po e shndërron nga ndërmarrje shtetërore në kompani me të drejta të kufizuara, njësoj siç ndodhi me Telecom-in, që dikur ishte pronë e shtetit francez.

Të ashtuquajturit politikanë të qendrës supozohet të jenë liberalë socialistë. Makroni po e demaskon këtë mit dhe po e nxjerr për atë që është. Një politikan që iu vardis votave të majta, duke premtuar politika humane ndaj emigrantëve dhe refugjatëve, tashmë i ka vënë këto grupe nën shënjestër. Është dyfishuar numri i ditëve që një emigrant pa letra do të mbahet i ndaluar nga autoritetet; koha e lejuar për shqyrtim të dosjeve të azilit është përgjysmuar, gjë që do të çojë në pranimin e më pak refugjatëve. Shoqatat e bamirësive paralajmërojnë se refugjatët që janë larguar nga zona lufte rrezikojnë të dëbohen. Ministri i brendshëm i Makronit, Gerard Collomb, thotë se komunitetet po përçahen për shkak të dyndjes së madhe të azilkërkuesve. Ndaj, nuk është për t’u habitur që e djathta ekstreme e “Frontit Nacional Francez” i ka quajtur vendimet e Makronit si “fitore politike”.

Studentët bllokojnë hyrjen e Universitetit të Lilës/ Philippe Huguen/AFP/Getty Images

Makroni nuk ofron të ardhme për Francën, le më për shoqëritë e tjera perëndimore. Megjithatë, ka shpresa. Disa vite pasi François Hollande e shkeli premtimin zgjedhor për të ndaluar masat shtrënguese të krizës ekonomike, e majta franceze ka qenë në pikën më të keqe. Ngritja e të majtës ekstreme, të drejtuar nga Melenshoni, e ndryshoi këtë: ai fitoi gati një të pestën e votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kryesisht duke tërhequr ata që ishin zemëruar nga rritja e të djathtës ekstreme.

Makroni u shfaq si një oaz i moderuar, një mburojë kundër politikanëve ekstremë. Por të ulësh taksat për të pasurit e të sulmosh të drejtat e punëtorëve, bashkë me refugjatët, nuk ka asgjë prej të moderuari. Ai përfaqëson një model ekonomik që në të shkuarën ka sjellë pasiguri ekonomike dhe që ka shërbyer si përbërës kryesor në ringjalljen e fashizmit francez.

E njëjta gjë po ndodh në të gjithë Perëndimin. Një model i padrejtë ekonomik, i mbrojtur për shumë kohë nga partitë e qendrës së djathtë e të majtë, që ka sjellë shkatërrim ekonomik dhe masa shtrënguese mbi kurriz të kostos së jetesës, është përgjegjësi kryesor për polarizimin e politikës. Nëse e majta nuk arrin të ofrojë një alternative frymëzuese, triumfi do t’i shkojë të djathtës ekstreme.

Owen Jones, The Guardian

FOTO GALERI
3/8
Protesta në Francë, Prill 2018

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA