Siria, në shënjestrën e Perëndimit. SHBA: Vendimi, ende s’është marrë

12/04/2018 10:52

Shtetet e Bashkuara thonë se të gjitha mundësitë janë në tryezë për Sirinë, pas sulmit të supozuar kimik që i ka shtyrë udhëheqësit perëndimorë të diskutojnë edhe mundësinë e ndërhyrjes ushtarake.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders u tha reporterëve se, një vendim përfundimtar për një aksion të tillë nuk është marrë ende, por shtoi se Amerika bën Rusinë dhe Sirinë përgjegjëse për incidentin.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet mbi ngjarjen, ndërsa kryeministrja britanike Theresa May thirri me urgjencë një mbledhje të kabinetit.

Aktivistë, punonjës të ndihmës dhe ekipe paramjekësore flasin për dhjetëra të vdekur në Doumën e kontrolluar nga rebelët, por qeveria e Bashar al-Assadit, e mbështetur ushtarakisht nga Moska, mohon të ketë ndërmarrë ndonjë sulm të kësaj natyre.

“Presidenti ka një seri opsionesh në tryezë – tha Sanders, – por ende nuk e ka specifikuar se cilin prej tyre do të përzgjedhë. Ai po kështu nuk ka saktësuar ndonjë afat kohor për një goditje të mundshme ushtarake”.

Komentet e zëdhënëses pasuan shkëmbimin e fortë të paralajmërimeve, që kulmuan një ditë më parë me mesazhin e Trumpit në “Twitter”, ku e paralajmëronte Rusinë për sulme me raketa në Siri.

Kremlini, nga ana e tij u zotua të rrëzojë çdo raketë të lëshuar drejt aleatit të vet. Ekspertët kanë bindjen se Trumpi gjendet përballë një dileme të madhe, por dyshojnë se ai do të ndjekë opsionin e një angazhimi të gjerë në Siri, pasi kjo kërkon shpenzime të mëdha ushtarake dhe krijon një situatë komplekse, që mund të mos përfundojë me sukses për presidentin amerikan.

Top Channel