Me vendin e fundit në grupin eliminator të Europianit, për Kombëtaren e futbollit të femrave kualifikimi është vetëm një mirazh.
Por rezultati pozitiv i fundit me Poloninë, ka shtuar entuziazmin te skuadra kuqezi. Të martën në orën 16:00 në stadiumin “Elbasan Arena” do të jetë Bjellorusia, një rivale që vajzat e kombëtares mund ta kalojnë nëse fitojnë.
Për të patur sa më shumë tifozë në stadium, ndeshja e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Francë 2019” do të ketë hyrje të lirë.
“Mendoj se barazimi në Poloni është fryt i një pune të skuadrës gjatë gjithë kësaj kohe. Skuadra më ka dhënë sinjale shumë të mira gjatë gjithë kësaj periudhe dhe të martën në fushë do të futemi për ta fituar ndeshjen. Kemi besim se mund t’ia dalim. E njohim këtë kundërshtar, pasi jemi ndeshur edhe në takimin e parë në fushën e tyre ku kemi bërë një paraqitje shumë të mirë. Skuadra po rritet në lojën e saj dhe kjo më pëlqen. Shoh një dëshirë të madhe te vajzat për të arritur drejt suksesit të parë në grup dhe mundësitë janë”, theksoi trajneri Grima.
Shqipëria ndodhet në vendin e fundit në grupin e dytë të kualifikueseve me vetëm 1 pikë në 6 ndeshje. Skuadra e parë e çdo grupi fiton kualifikimin direkt.
Top Channel