“Deri vonë, emigracioni është parë si një çështje personale në Shqipëri, por përballë shifrave dhe cilësisë së komuniteti jashtë vendit, shoqëria dhe politika kanë filluar të reflektojnë”. Me këto fjalë ju drejtua Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko përfaqësuesëve të komunitetit shqiptar në Modena të Italisë, ku po zhvillon një vizitë pune së bashku me Ministren e Arsimit znj. Lindita Nikolla.

Ndërsa theksoi se Italia ka komunitetin më të madh të shqiptarëve jashtë vendit, Ministri Majko foli për rëndësinë e konsolidimit të lidhjeve mes shqiptarëve atje dhe shtetit. Duke përmendur mungesën e statistikave lidhur me numrin total të shqiptarëve, përfshirë edhe ata të Kosovës dhe Maqedonisë, Ministri foli për bashkëpunimin dhe marrëveshjet e nënshkruara me qeverinë e Kosovës, për të mos i trajtuar më si të ndarë shqiptarët e diasporës. Ndërsa pranoi se nëse nuk do të vepronin menjëherë për të mbështetur ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kudo ku jetojnë shqiptarë, z. Majko tha se brenda një kohe të shkurtër ishin ndërmarrë hapa të rëndësishëm. Ai përmendi ngritjen për herë të parë të një Nënkomisioni Parlamentar, krijimin e Komitetit Shtetëror për Diasporën, kalimin e Ligjit për Agjencinë e Diasporës, Projektligjin për Diapsorën që është votuar në parim, Projektligjin për Fondin e Zhvillit dhe nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit me organizatën ‘Germin’.

“Ne jemi fokusuar që të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me diasporën të kalojnë me ligj të veçantë, pasi duam të garantojmë jetëgjatësinë e tyre pavarësisht ndërrimit të qeverive”, u shpreh Ministri, i cili shtoi se institucionet do të jenë në funksion të angazhimit dhe strukturimit të të gjithë rrjeteve të diasporës. Ndërsa vlerësoi përpjekjet dhe iniciativat e komunitetit në Itali, z. Majko pohoi se nevojitet një organizim më i madh në nivel rajonal dhe shtetëror. Në këtë kontekst, Ministri kujtoi mbajtjen e samitit të dytë për diasporën, gjatë të cilit do të flitet për gjërat që duhen bërë. Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar i drejtuan pyetje z. Majko, lidhur me të drejtën e votës dhe projektet sa i përket arsimit. Duke e cilësuar votën e emigrantëve si një çështje me shumë rëndësi, Ministri theksoi se të gjitha palët politike janë shprehur pro këtij projekti. Ai tha se kanë në tryezë disa modele që do të shqyrtohen me shumë kujdes, për shkak të natyrës komplekse të kësaj çështje. Sa i përket arsimit, Ministri përmendi si arritje përfshirjen e gjuhës shqipe në sistemin shtetëror në një land të gjermanise, në një rajon të Kanadasë dhe New York.

“Këto përvoja të suksesshme po na ndihmojnë të hartojmë planet për shtrirjen e këtij standardi edhe në vende të tjera”, ishin fjalët e tij.

Ndërkaq, Ministrja e Arsimit theksoi rëndësinë që për herë të parë po realizohet një regjistër i të dhënave në bashkëpunim më Ministrin e Shtetit për Diasporën, sidomos për numrin e studentëve jashtë vendit. Znj. Nikolla vlerësoi punën e mësuesëve të gjuhës shqipe, të cilët siç tha, tani e tutje do të kenë një mbështetje më të madhe nga qeveria.

“Ju falenderoj nga zemra për atë që ju keni bërë për Shqipërinë. Keni qenë një ndihmë e vyer jo vetëm për familjet tuaja por për të gjithë shoqërinë shqiptare. Nëse deri më tani neve na është dashur të themi vetëm faleminderit për ndihmën, tani na duhet të japim llogari e të angazhohemi që familjet tuaja të jetojnë më mirë në Shqipëri”, tha znj. Nikolla, e cila shtoi se është shënuar një progresi i konsiderueshëm edhe në sistemin arsimor në vend. Ajo foli gjithashtu për projektet e përbashkëta me institucionet e arsimit të lartë në Itali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA